Botë

Europa Jugore e përfshirë nga flakët, digjen Franca dhe Spanja, vatra zjarri në Greqi dhe Turqi

30.07.2026 12:21

Në Francë dhe Spanjë zjarret vazhdojnë të jenë aktive....

Në Francë dhe Spanjë zjarret vazhdojnë të jenë aktive. Ndërkohë, vatra të reja të zjarrit janë raportuar në Turqi dhe Greqi, ku tre zjarrfikës humbën jetën gjatë operacioneve të shuarjes së flakëve.

Në provincën jugore turke të Antalias, zjarrfikësit po luftojnë që prej së martës me disa vatra zjarri në një rajon turistik. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan bëri të ditur se janë regjistruar 90 vatra të reja zjarri, por shumica e tyre tashmë janë vënë nën kontroll. Sipas tij, rreth 3.000 efektivë të emergjencave dhe zjarrfikësve janë angazhuar në luftën kundër flakëve.
 
Edhe në zonat bregdetare të Greqisë dhe në disa ishuj kanë shpërthyer zjarre të reja të mëdha. Gjatë një operacioni për shuarjen e një zjarri pyjor në Kretë, dy zjarrfikës humbën jetën. Sipas shërbimit zjarrfikës, ata humbën orientimin për shkak të tymit të dendur dhe mbetën të rrethuar nga flakët.
 
Ndërkohë, përpjekjet për shuarjen e zjarreve vazhdojnë në Francë dhe Spanjë. Në disa rajone të Francës janë regjistruar sërish vatra të reja zjarri. Rreth 100 hektarë sipërfaqe u përfshinë nga flakët, ndërsa më shumë se 600 persona u evakuuan.
 
Edhe në Spanjë, e cila po përballet me zjarre të shumta pyjore, shpërtheu një zjarr i madh në një park kombëtar pranë kufirit me Portugalinë. Për shkak të rrezikut të lartë për banorët, dymbëdhjetë fshatra dhe qyteza përreth komunës Fermoselle u evakuuan, njoftoi qeveria rajonale e Kastiljes dhe Leonit. Për dy vendbanime të tjera u vendosën kufizime të lëvizjes. Sipas raportimeve të mediave, rreth 950 persona u zhvendosën në zona të sigurta në rajonin e prekur në veriperëndim të Spanjës.