Maqedoni
Promovohen shërbime të reja elektronike, certifikata elektronike edhe në bujqësi
30.07.2026 14:08
Certifikata e cilësisë për produktet bujqësore, produktet e përpunuara dhe mallrat, si dhe certifikata B1 për eksportin e verë...

Certifikata e cilësisë për produktet bujqësore, produktet e përpunuara dhe mallrat, si dhe certifikata B1 për eksportin e verës, janë dy shërbimet e reja elektronike që ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, dhe drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Ivica Angellovski, i promovuan sot. Këto shërbime, tashmë janë të qasshme për kompanitë përmes Portalit Kombëtar të Shërbimeve, “uslugi.gov.mk”. Sipas autoriteteve, digjitalizimi i tyre do të përshpejtojë procedurat dhe do të ulë shpenzimet administrative për bizneset.
"Shërbimet e reja janë veçanërisht të rëndësishme, sepse mbështesin drejtpërdrejt zhvillimin e ekonomisë. Bëhet fjalë për procedura që lidhen me cilësinë e produkteve bujqësore dhe eksportin e verës, sektorë që janë vlerë e shtuar në vend, sigurojnë vende pune dhe e përfaqësojnë shtetin tonë në mënyrën më të mirë në tregjet e huaja. Për një kompani koha e nevojshme për të marrë një dokument nuk është vetëm çështje administrative, por pjesë e kostos së biznesit dhe ritmit të prodhimit dhe konkurrueshmërisë së saj. Kjo do të thotë se nëse institucionet vonohen, vonohet edhe kompania. Nëse procedurat janë të ndërlikuara, rriten shpenzimet dhe njëherësh zvogëlohen mundësitë për zhvillim dhe eksport.", - deklaroi ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski.
Sipas autoriteteve, digjitalizimi i këtyre shërbimeve do të rrisë edhe transparencën dhe do të zvogëlojë rrezikun e korrupsionit, pasi procedurat do të zhvillohen sipas rregullave të njëjta për të gjithë, duke krijuar gjurmë elektronike për çdo veprim institucional. Drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Ivica Angellovski, prezantoi mënyrën e përdorimit të shërbimeve të reja dhe përfitimet konkrete që ato sjellin për kompanitë.
"Kompanitë, përveç certifikatave në formë të shkruar, tani do të mund t'i marrin ato edhe në formë elektronike, me të njëjtën vlefshmëri juridike. Me këtë digjitalizim thjeshtësohet e gjithë procedura e përdorimit të shërbimeve, shkurtohet koha për marrjen e certifikatave dhe eliminohet nevoja që ato të tërhiqen personalisht në Inspektorat. Gjithashtu është digjitalizuar plotësisht edhe procedura e pagesës së taksave administrative. Në vend të fletëpagesave me letër, ato tanimë do të kryhen në mënyrë elektronike, përmes aplikacioneve të bankave elektronike.", - theksoi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Ivica Angellovski.
Shërbimet e reja elektronike janë rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Transformimit Digjital dhe Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, me mbështetjen e GIZ-it gjerman. Ato do t'i prezantohen edhe komunitetit të biznesit në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë. Autoritetet bëjnë të ditur se digjitalizimi i shërbimeve publike do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim krijimin e institucioneve më efikase, më transparente dhe më të përgjegjshme.
REXHEP QAMILI
