Botë

ShBA-ja sulmon sërish Iranin, rritet frika për përshkallëzimin e konfliktit

30.07.2026 14:27

Pas disa ditësh qetësie relative, përshkallëzimi i konfliktit në disa fronte në Lindjen e Mesme ka rritur rrezikun e rikthimit në një luftë të përgjithshme....

Pas disa ditësh qetësie relative, përshkallëzimi i konfliktit në disa fronte në Lindjen e Mesme ka rritur rrezikun e rikthimit në një luftë të përgjithshme. Shtetet e Bashkuara kanë kryer një valë të re sulmesh ndaj objektivave të Iranit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër bazave amerikane në Jordani dhe anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Përshkallëzimi vjen vetëm një ditë pasi Uashingtoni dhe Riadi goditën grupet aleate të Iranit në Irak, ndërsa dronët shkaktuan zjarre në dy anije në një port egjiptian.
 
"Do t’i godasim shumë fort, sepse tani është radha jonë. Ata e dinë se çfarë po vjen. Na kërkojnë të mos e bëjmë, por tani është radha jonë. Do të shohim nëse në një moment do të arrijmë një marrëveshje, por fillimisht do t’i godasim shumë fort.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Trump. 
 
Organizata e Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ndalin luftimet dhe t’i rikthehen dialogut diplomatik.
 
"Sekretari i Përgjithshëm ka kohë që shpreh shqetësimin, se nëse palët nuk kthehen në tryezën e negociatave, konflikti mund të zgjerohet. Pikërisht kjo duket se po ndodh në orët e fundit. Ai ka paralajmëruar vazhdimisht kundër çdo rifillimi të luftimeve dhe çdo përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.", - theksoi zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.
 
Huthit, të mbështetur nga Irani në Jemen, javën e kaluar shpallën një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite. Ndërkohë, Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur. Ministria e Jashtme e Iranit hodhi poshtë propozimin e Omanit për menaxhim të përbashkët të trafikut detar në këtë rrugë ujore strategjike.
 
"U kemi bërë të ditur miqve tanë në Oman se kjo rrugë detare, e përdorur prej më shumë se 60 vitesh, nuk është më e pranueshme për Republikën Islamike të Iranit, pasi si korsia hyrëse ashtu edhe ajo dalëse ndodhen në ujërat territoriale të Omanit. Propozimi që njëra korsi të kalojë në anën tonë dhe tjetra në anën e Omanit nuk i adreson shqetësimet tona për sigurinë kombëtare.", - u shpreh zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi.
 
Lufta vazhdon të tronditë tregjet botërore. Çmimet e naftës janë rritur në bursat ndërkombëtare pas rifillimit të armiqësive dhe pasigurisë mbi tranzitin nëpër rrugët kryesore të furnizimit me energji drejt Evropës dhe Azisë.

FARIJE DAUTI BAKIU