Kuvendi para pushimit veror, përfaqësimi i drejtë pret momentin politik

30.07.2026 15:51

Përderisa Kuvendi po numëron ditët e fundit të punës para pushimit veror, në rend dite mbeten një sërë nismash ligjore të ndjeshme...

Përderisa Kuvendi po numëron ditët e fundit të punës para pushimit veror, në rend dite mbeten një sërë nismash ligjore të ndjeshme, përfshirë edhe Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, për të cilin opozita shqiptare vazhdon të shprehë rezerva. I pyetur se kur do të hidhet në votim kjo zgjidhje ligjore, e cila kërkon edhe shumicën e Badinterit, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se momenti i votimit do të përcaktohet në varësi të rrethanave më të favorshme politike.
 
Vërejtjet procedurale në Parlament, Gashi: Po keqpërdoren nga opozita
 
Gashi foli edhe për zhvillimet e fundit në seancat parlamentare, duke akuzuar se po tentohet për herë të parë të bllokohet puna e Kuvendit përmes kërkesave procedurale. Sipas tij, koordinatorët e grupeve parlamentare kanë të drejtë të argumentojnë për procedurën dhe rrjedhën e seancës për një pikë të rendit të ditës, por jo ta përdorin këtë mekanizëm për zvarritje.
 
“Mendoj se po tentohet, po krijohet një tentativë për herë të parë që të bllokohen seancat e Parlamentit me procedurale. Koordinatorët kanë të drejtë njëherë të argumentojnë për procedurën e rrjedhës së seancës për një pikë të rendit të ditës. Argumentimi është tre minuta. Nuk mund të paraqiten të gjithë deputetët dhe të gjithë koordinatorët vazhdimisht gjatë gjithë ditës për ta përsëritur të njëjtin argument, sepse ajo e humb kuptimin e procedurales dhe tentativa është që pastaj të bllokohet Kuvendi.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
 
Deputetët pritet t’i rikthehen punës në seanca plenare dhe komisione pas pushimit veror, më 21 gusht.
 
ERSAN PAJAZITI