Maqedoni

Epidemia në Gostivar, Filipçe kërkoi rezultatet, Mickoski optimist

30.07.2026 15:55

Zbardhja e shkaqeve që shpien në epideminë në Gostivar, ka ndjellë dyshime tek LSDM-ja se po fshihen arsyet reale që shpien në helmimet...

Zbardhja e shkaqeve që shpien në epideminë në Gostivar, ka ndjellë dyshime tek LSDM-ja se po fshihen arsyet reale që shpien në helmimet. Kryesocialdemokrati Venko Filipçe kërkoi nga pushteti zbardhjen e detajeve dhe rezultateve rreth kontrollit të ujit. Ai hapi dilemat edhe për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve malinje.
 
“Nuk ka përgjigje se si janë rezultatet tani. Përse nuk i publikoni? Përse keni deklarata kundërthënëse me ministrin e Shëndetësisë, se uji do të jetë kushtimisht i mirë për t’u pirë dhe pastaj se uji do të jetë vetëm teknik. Njerëzit janë të habitur dhe nuk dinë se çka të bëjnë dhe kujt t’i besojnë. E leni ministrin e Brendshëm të flasë për pastrimin e ujit, klorizimin dhe hiperklorizimin, ndërsa njeriu nuk ka kapacitet dhe nuk di për këtë. Keni kujdes hiperklorizimi i ujit sjell rrezikun e sëmundjeve malinje.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski me kundërakuza, por edhe pohime se situata është në përmirësim e sipër, duke dhënë sinjale optimiste për banorët e Gostivarit.
 
“Ju lejuat që njerëzit të konsumojnë ujë, që ka paraqitur rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Dhe, nëse unë si inxhinier apo Pançe si jurist merr vesh apo jo në hiper, apo jo hiperklorizimin e ujit, unë nuk e di. Por, e di që, nëse dje ishin gjashtë mostra joadekuate, ndërkaq sot janë dy, pres që banorët e Gostivarit për disa ditë do të kenë ujë adekuat edhe për pije.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Kryeministri ftoi Prokurorinë që të hetojë periudhën e Filipçes në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe mosreagimit, si dhe lejimin e konsumit të ujit joadekuat jo vetëm në Gostivar, por edhe në Prilep, Krushevë dhe Makedonski Brod.  
   
MERAL ISMAILI