Ekonomi, Filipçe: Jemi vendi i fundit për nga standardi

30.07.2026 16:35

Liderët e dy partive më të mëdha maqedonase...

Liderët e dy partive më të mëdha maqedonase, ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dhe ai i LSDM-së, Venko Filipçe, kanë shkëmbyer akuza për sa i përket gjendjes ekonomike në vend.

Sipas liderit të LSDM-së, për shkak të kësaj qeverisjeje, jeta e qytetarëve po bëhet çdo ditë e më e vështirë.

“Po bien në ujë përrallat për standardin jetësor të qytetarëve. Çdo ditë e keni gojën plot se ishim ekonomia e katërt në Evropë, pastaj në vendit e tretë, ndërsa tash na thoni se jemi ekonomia e parë në Evropë, por z. Mickoski, qytetarët e dinë se si po jetojnë në prag të varfërisë, ndërsa këtë po e konfirmon edhe Eurostat, e cila thonë se jemi në vendin e fundit për nga standardi dhe të ardhurat që kemi.”, - deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.

Mickoski: Paga mesatare është 49.544 denarë

Por, këtyre akuzave i është kundërpërgjigjur vet kryeministri Mickoski, sipas të cilit, opozita po mundohet që me gënjeshtra të fitojë besimin e qytetarëve, sepse numrat, sipas Mickoskit, thonë diçka tjetër. 

“Folët për standardin jetësor, duhet ta dini, se çmimet e derivateve janë më të ulëta në rajon. Tash për ekonomi, nëse bëjmë krahasim mes muajit qershor të vitit 2022 dhe qershor të vitit 2026, në vitin 2022 kur LSDM-ja ishte në Qeveri kishim inflacion 14.7 për qind, në muajin qershor të vitit 2026 kemi inflacion 3.4 për qind. Kur jemi tek pagat, paga mesatare në muajin qershor të vitit 2017 ishte 22.671 denarë, ndërsa në muajin maj të vitit 2026 paga mesatare është 49.544 denarë. Kur jemi tek pensionet, LSDM-ja kishte rritur pensionet afërsisht 7 mijë denarë për 7 vite, ndërsa në kohën e VMRO-DPMNE-së për 2 vite kemi rritje mbi 7 mijë denarë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Mickoski po ashtu demantoi liderin e opozitës, duke u thirrur në numrat rreth Prodhimit Bruto Vendor, ku sipas Mickoskit, në muajin janar të vitit 2018 deri në dhjetor të vitit 2022, PBV-ja ishte rritur për 3.69 miliardë dollarë, tani kjo Qeveri afrohet rreth 22 miliardë dollarë. (Fitim Kryeziu, TVM2)