Maqedoni

Emigrantët sirianë vërshojnë Maqedoninë, ankohen për vështirësi të shumta dhe grabitje

15.06.2015 18:31

Rritet numri i emigrantëve që kalojnë transit në Maqedoni...

Objektivi i  TVM-2 filmoi një grup të madh të refugjatëve në qytetin e Kumanovës.
 
Fëmijë të vegjël, gra, burra të lodhur nga rrugëtimi i gjatë, ishin mbledhur në oborrin e xhamisë në qendër të Kumanovës.
 
Emigrantët sirianë thonë se në Kumanovë ndjehen pak më të sigurt se sa nëpër qytetet e tjera. Ata rrëfyen edhe për vështirësitë e shumta që kanë kaluar në këtë vend. 
 
“Unë vij nga Siria. Në këtë qytet mbërrita me shumë vështirësi, udhëtoja me biçikletë, por pas një kohe biçikleta m’u prish. Derisa e rregulloja biçikletën në rrugët e këtij vendi, erdhi një makinë e bardhë prej të cilës zbritën disa persona. Më lanë armë mbi kokë dhe mi morën 2 celularët dhe 1700 euro në kesh, por edhe gjithçka që kisha me vete. Tani me vete kam vetëm pasaportën. Nuk kam para, nuk kam asgjë. Banorët e Kumanovës më ndihmuan, megjithatë unë dëshiroj të dal jashtë këtij vendi, sepse dua liri”- deklaroi një refugjat. 
 
Maqedonia, gati tre vjet e gjysmë ballafaqohet me ardhjen e emigrantëve afganë në vend.
 
Pasiviteti i institucioneve përkatëse për të zgjidhur këtë çështje me kohë, 3 muajt e fundit nxiti fluks shumë të madh të emigrantëve në Maqedoni. 
 
Deri më tani nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i tyre që transitojnë nëpërmjet Maqedonisë.
 
Në të shumtën e rasteve ata hyjnë ilegalisht në kufirin e Greqisë dhe nëpërmjet maleve ata zbresin në qytet e tjera të vendit.
 
Deri më tani dhjetëra emigrantë kanë humbur jetën në Maqedoni, pasi janë goditur nga treni në aksin hekurudhor Veles-Shkup.
 
REXHEP QAMILI