Marrëveshje për Gazën, Hamasi drejt çarmatimit

31.07.2026 14:30

Gaza është një hap larg një qetësimi të përhershëm të konfliktit...

Gaza është një hap larg një qetësimi të përhershëm të konfliktit dhe zbatimit të planit 20-pikësh të Trump-it. Bordi i Paqes ka arritur një marrëveshje për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës, njoftoi presidenti amerikan.

Armët do të vendosen nën mbikëqyrjen e administratës së re palestineze, ndërsa Hamasi kërkon garanci se edhe Izraeli do t'i zbatojë detyrimet e marrëveshjes.

“Marrëveshja do të zbatohet në faza të strukturuara me kujdes. Me përfundimin e çarmatimit, forcat izraelite do të tërhiqen, ndërsa Forcat Ndërkombëtare të Stabilizimit do të bashkëpunojnë me forcat e reja policore palestineze për të marrë përgjegjësinë për sigurinë e Gazës, në dobi të banorëve të saj dhe fqinjëve të saj.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.

Nga ana tjetër, Pakistani pretendon se po bën përpjekje për t’i rikthyer Shtetet e Bashkuara dhe Iranin në bisedime në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit, të nënshkruar në mesin e muajit qershor.

“Negociatat ndërmjet palëve janë në vazhdim për normalizimin e situatës, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit, si dhe për uljen e tensioneve. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për t’i rikthyer palët te Memorandumi i Mirëkuptimit i Islamabadit, në përputhje me Deklaratën e Përbashkët të Pakistanit dhe Katarit të 21 qershorit 2026.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Tahir Andrabi.

Në shkëmbimin e fundit të zjarrit në Lindjen e Mesme janë raportuar viktima civile dhe dëme në infrastrukturë në Egjipt, Kuvajt, Arabinë Saudite, si edhe në Iran.

Analistët paralajmërojnë se lufta mes ShBA-së dhe Iranit ndodhet në një pikë kritike, me potencial për përshkallëzim të mëtejshëm.

“Natyra e luftës aktuale, e cila filloi më 28 shkurt midis Iranit, ShBA-së dhe Izraelit, është dinamike; ajo mund të zgjerohet dhe është e pakontrollueshme. Siç treguan ngjarjet e ditëve dhe javëve të fundit, ajo do të bëhet shumë më e ndërlikuar dhe herë pas here do të dalë jashtë kontrollit. Kjo nuk është një luftë që mund të klasifikohet si një përshkallëzim i menaxhueshëm.”, - u shpreh Arman Mahmoudian nga Instituti për Siguri Globale dhe Kombëtare.

Nga Teherani thonë se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur për sa kohë që Uashingtoni vazhdon sulmet. Ndërkohë, Arabia Saudite ka formuar një aleancë ushtarake prej 14 shtetesh për mbrojtjen e trafikut detar në Detin e Kuq. (Armend Murseli, TVM2)