Maqedoni
BDI: U humbën 60.77 milionë euro nga BE-ja
31.07.2026 14:47
BDI-ja ka akuzuar pushtetin se, ka humbur edhe një grant prej 60.77 milionë eurosh nga BE...

BDI-ja ka akuzuar pushtetin se, ka humbur edhe një grant prej 60.77 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë. Bekim Rexhepi nga BDI, e cilësoi këtë si një dështim serioz dhe humbje të një mundësie të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës dhe ekonomisë së vendit.
“Sot kemi për të folur për një dështim serioz të kësaj Qeverie pa legjitimitet etnik për humbjen e 60.77 milionë eurove grant nga Bashkimi Evropian, mjete të pakthyeshme të destinuara për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë. Këto nuk janë vetëm para, por mundësi historike e humbur. Sipas dokumenteve zyrtare të dorëzuara nga vet Qeveria në Kuvend, këto fonde IPA nuk janë më të disponueshme, sepse tenderi i shpallur në vitin 2024 është anuluar dhe kontrata për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës nuk është nënshkruar brenda afatit të paraparë.”, - deklaroi Bekim Rexhepi nga BDI.
Sipas Rexhepit, do të nevojitet një periudhë e gjatë për të rikthyer këto fonde.
“Procedurat e mëtutjeshme do të jenë edhe më të komplikuara, sepse ne tanimë paraqitemi si shtet joserioz, sepse ne anulojmë një tender që e financon BE-ja nga fondet IPA, dhe do të kalojë shumë kohë që të sigurohen mjete për këtë aks rrugor.”, - theksoi Bekim Rexhepi nga BDI.
Sipas BDI-së, Korridori 8 është pjesë e rrjetit strategjik të transportit të Bashkimit Evropian dhe ka rëndësi të veçantë edhe për NATO-n, pasi lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, dhe kjo vonesë sipas BDI-së dhe humbja e fondeve evropiane ngrenë pikëpyetje për qasjen e Qeverisë ndaj projekteve strategjike me orientim euroatlantik.
FITIM KRYEZIU
