MPB: Promovohen 496 nëpunës të rinj policor

31.07.2026 15:00

496 nëpunës të rinj policorë u promovuan...

496 nëpunës të rinj policorë u promovuan sot në Qendrën për Trajnim të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Idrizovë, si pjesë e gjeneratës 2025–2026. Kjo është gjenerata e parë që trajnimin bazë e ka ndjekur sipas një programi të ri, të ndarë në module të specializuara.

Ndihmësministri në Akademinë Policore, Vllatko Mitkovski, tha se promovimi i tyre është shpërblim dhe dëshmi e punës, disiplinës dhe përkushtimit të treguar gjatë trajnimit.

Ai theksoi se uniforma nuk është vetëm simbol i autorizimeve ligjore, por edhe simbol i besimit që qytetarët ua japin atyre që kujdesen për sigurinë e tyre.

"496 kandidatë për policë e përfunduan me sukses trajnimin bazë. Ky është brezi i parë tek i cili u zbatua me sukses modeli i ri i trajnimit bazë të dedikuar, i ndarë në tre module të specializuara, kompetenca të përgjithshme dhe komunikacion, të cilin e përfunduan 364 kandidatë, punë kufitare, të cilin e përfunduan 78 kandidatë dhe operacione speciale policore, të cilin e përfunduan 54 kandidatë. Ky modul u prit shumë mirë nga kandidatët, ndërsa programi mësimor u vlerësua pozitivisht edhe nga misionet e huaja në vend.", - deklaroi ndihmësministri i Akademisë Policore, Vllatko Mitkovski.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë promovimit i porositi nëpunësit e rinj policorë se me këtë ceremoni solemne nuk marrin vetëm një vend pune dhe një uniformë, por edhe një përgjegjësi të madhe.

"Shteti i fortë fillon me institucione të forta, ndërsa siguria është themeli mbi të cilin ndërtohen zhvillimi ekonomik, siguria juridike dhe cilësia e jetës së çdo qytetari. Prandaj, që nga dita e parë kur mora përgjegjësinë për të udhëhequr Ministrinë e Punëve të Brendshme, së bashku me të gjithë ata që janë këtu sot, por edhe me ata që nuk janë, nisëm procesin e modernizimit të thellë dhe forcimit të policisë maqedonase. Sot nuk flasim më për plane, por për rezultate konkrete.", - theksoi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.

Disa prej atyre rezultateve konkrete, sipas Toshkovskit, janë investimet në stacione të reja policore, pajisje moderne, automjete të reja, përmirësimin e kushteve të punës, digjitalizimin e shërbimeve, sisteme të reja të uniformave dhe teknologji që mundësojnë punë më të shpejtë, më efikase dhe më transparente të policisë. (Rexhep Qamili, TVM2)