Nuk është vetëm UEFA kundër, CONCACAF dhe AFC refuzuan propozimin e FIFA-s

31.07.2026 15:05

Pas UEFA-s, edhe konfederata të tjera si CONCACAF dhe AFC kanë refuzuar propozimin e FIFA-s për shitjen e një pjese të të drejtave pronësore të Kupës së Botës....

Pasi të gjitha federatat evropiane të futbollit e hodhën poshtë këtë propozim në një deklaratë të përbashkët të enjten, të njëjtin qëndrim mbajtën edhe të 41 federatat anëtare të Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF). Në deklaratën e përbashkët, anëtarët e CONCACAF-it shprehën shqetësim të thellë për mosrespektimin e procedurave të parashikuara, afatin shumë të shkurtër për marrjen e vendimit dhe mungesën e shqyrtimit apo miratimit nga organet përkatëse drejtuese të FIFA-s.
 
"Ky diskutim ka theksuar nevojën për më shumë transparencë dhe qeverisje të mirë. Për këto arsye, CONCACAF dhe 41 federatat e saj anëtare e refuzojnë këtë propozim", thuhet në komunikatë. 
 
Edhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) ka shprehur solidaritet me UEFA-n dhe CONCACAF-in në kundërshtimin e këtij propozimi të FIFA-s, me qëllim, siç thuhet, "mbrojtjen e Kupës së Botës". UEFA, paralajmëroi bojkotimin e të gjitha garave nën organizimin e FIFA-s, përfshirë edhe Kampionatin Botëror, nëse vazhdohet me shitjen e të drejtave pronësore investitorëve privatë, CONCACAF nuk ka paralajmëruar një masë të tillë. 
 
Nga selia e FIFA-s në Zvicër është bërë e ditur se "raportimet e pasakta mediatike" kanë ndikuar negativisht në procesin e planifikuar të konsultimeve, por organizata do të vazhdojë me planin në mënyrë që çdo federatë kombëtare të ketë mundësi të shprehë qëndrimin e saj mbi bazën e fakteve. FIFA ka deklaruar se "askush nuk po e shet futbollin", ndërsa është zotuar të vazhdojë planin e debatueshëm për t'u ofruar investitorëve privatë deri në 20 për qind të aksioneve në garat e saj. (Gazetar: Safet Ademi)