Ministria e Shëndetësisë: Situata në Gostivar po përmirësohet
Pas më shumë se dy javësh nga shpallja e epidemisë së gastroenteritit...

Pas më shumë se dy javësh nga shpallja e epidemisë së gastroenteritit, situata në Gostivar po shkon drejt stabilizimit. Ministria e Shëndetësisë njofton se numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore është në rënie, ndërsa institucionet vazhdojnë ta monitorojnë nga afër gjendjen.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 36 kontrolle të para në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit dhe në Shtëpinë e Shëndetit, ose 37 më pak se një ditë më parë. Aktualisht, në spital po trajtohen katër pacientë, ndërsa që nga fillimi i epidemisë janë kryer gjithsej 4.483 kontrolle të para.
“Gjendja epidemiologjike në Gostivar po përmirësohet, ndërsa numri i pacientëve është në rënie. Gjatë ditës së djeshme, në Spitalin e Përgjithshëm dhe Qendrën Shëndetësore në Gostivar janë kryer 36 ekzaminime të para, që është 37 më pak se një ditë më parë, kur ishin regjistruar 73 ekzaminime. Aktualisht në spital po trajtohen katër pacientë.”, thuhet në njoftimin me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Megjithëse situata po përmirësohet, ndalesa për përdorimin e ujit për pije dhe përgatitje të ushqimit mbetet ende në fuqi, deri në konfirmimin e rezultateve laboratorike që do të dëshmojnë se uji është i sigurt për konsum.
“Uji ende nuk është i sigurt për qytetarët dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për qytetarët dhe derisa të thuhet se uji është i sigurt për t’u pirë, ata nuk duhet ta konsumojnë atë. U dha një udhëzim që ai ujë tani është ujë teknik dhe mund të përdoret për pjesë të caktuara, gjë që u është komunikuar tashmë qytetarëve dhe besoj se duhet t’i përmbahemi këtyre udhëzimeve për ta përfunduar epideminë, ndërsa rezultatet e fundit tregojnë se situata po qetësohet.”, - theksoi epidemiologu nga IShP, Dragan Kocinski.
Nga Ministria bëjnë të ditur se vazhdon mbikëqyrja e shtuar epidemiologjike, përpunimi i të dhënave dhe zbatimi i masave për mbrojtjen e shëndetit publik. (Sanije Duraku, TVM2)
