Maqedoni
Përplasje për ujin në Gostivar, Filipçe: Institucionet kanë reaguar me vonesë
31.07.2026 15:14
Vazhdojnë përplasjet politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së lidhur me epideminë në Gostivar....

Vazhdojnë përplasjet politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së lidhur me epideminë në Gostivar. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një brifing me gazetarë tha se institucionet kanë reaguar me vonesë ndaj ndotjes së ujit në Gostivar dhe ende nuk kanë dhënë përgjigje për çështjet kyçe që lidhen me situatën. Ai kritikoi edhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për përdorimin e "ujit teknik", duke kërkuar sqarime se kush e kontrollon cilësinë e tij dhe nëse është i sigurt për përdorim.
“Keni ujë që është i kontaminuar me baktere koliforme, i cili jo vetëm që nuk është për t’u pirë, por as për të bërë dush, dhe rekomandimi është të përdoret, imagjinoni, ujë teknik. Si do ta përdorin? Nga vjen uji teknik? Kush e kontrollon ujin teknik? Nga e marrin ujë teknik restorantet? Ushqimi lahet me atë ujë në restorantet e dasmave. Kush e kontrollon atë ujë?”, pyeti Filipçe.
VMRO-DPMNE: Filipçe nuk ka të drejtë të mbrojë shëndetin publik
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE theksojnë se Filipçe nuk ka të drejtë të veprojë si mbrojtës për shëndetin publik. Ata akuzojnë se Filipçe nuk ka vepruar sipas raporteve të institucioneve gjatë kohës sa ishte ministër i Shëndetësisë.
“Qytetarët përfunduan në spitale, nuk e dinin se çka kishin, por Filipçe e dinte. Në vend që të japë mësime sot dhe të përhapë akuza politike, Filipçe së pari duhet t'u japë një përgjigje qytetarëve pse nuk veproi sipas raporteve të institucioneve ndërsa ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë? Ne presim që autoritetet kompetente ta sqarojnë plotësisht rastin dhe të përcaktojnë nëse ka pasur ndonjë lëshim dhe presim llogaridhënie.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-DPMNE-së, qytetarët meritojnë të vërtetën, jo shqetësimin selektiv që shfaqet vetëm kur Filipçe është në opozitë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
