Shëndetësi, VLEN: Do të punësohen 300 specializantë

31.07.2026 15:18

300 mjekë specializantë deri në fund të vitit do të bëhen pjesë e sistemit publik shëndetësor....

300 mjekë specializantë deri në fund të vitit do të bëhen pjesë e sistemit publik shëndetësor. Vendimin për punësimin e tyre e ka miratuar Qeveria, pas punësimit të grupit të parë të specializantëve po aq në numër 300. Nga VLEN-i thonë se ky është një nga premtimet e dhëna qytetarëve për përmirësimin e jetës së tyre.
 
“Grupi i parë prej 300 specializantësh tashmë është punësuar, ndërsa vazhdon procesi për punësimin e grupit të dytë. Synimi është që ky proces të përfundojë deri në fund të këtij viti. Kjo është një mundësi që 300 mjekë të rinj, të cilët e kanë nisur specializimin me shpenzimet e tyre, të bëhen pjesë e sistemit publik dhe ta ndërtojnë të ardhmen këtu, në vendin e tyre. Në të njëjtën kohë, spitalet që prej vitesh përballen me mungesë specialistësh do të përforcohen me kuadrin që u nevojitet.”,  - deklaroi Kaltrina Beqiri nga VLEN.
 
Përparësi për punësime të reja do të kenë spitalet e përgjithshme dhe klinike jashtë Shkupit, ku mungesa e mjekëve është më e madhe.
 
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe qyteteve tjera. Ata nuk duhet të humbin një ditë të tërë, të shpenzojnë për rrugë dhe të udhëtojnë drejt Shkupit për një kontroll që mund dhe duhet ta marrin pranë shtëpisë.”, - theksoi Kaltrina Beqiri nga VLEN.
 
Së fundmi Qeveria, për të përmirësuar edhe cilësinë e shërbimeve mjekësore, ka investuar 74 milionë euro në Spitalin Klinik të Tetovës dhe hapjen e rrugës për ndërtimin e spitalit të ri në Kërçovë.
 
MERAL ISMAILI