AUV apelon për kujdes gjatë të nxehtit, rritet rreziku i helmimeve nga ushqimi
Për shkak të temperaturave që pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius...

Për shkak të temperaturave që pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë blerjes, transportimit, ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimit, për të shmangur helmimet ushqimore.
Agjencia rekomandon që ushqimet të blihen vetëm në pika të verifikuara të shitjes, ku produktet, veçanërisht ato me origjinë shtazore, ruhen në kushte të përshtatshme frigoriferike.
Gjithashtu, qytetarët këshillohen të shmangin blerjen e produkteve me ambalazh të dëmtuar ose të fryrë, ndërsa ushqimet e ftohta dhe të ngrira t’i marrin në fund të blerjeve për të ruajtur zinxhirin e ftohtë.
Përveç kujdesit për ushqimin, Agjencia paralajmëron se vala e të nxehtit paraqet rrezik edhe për shëndetin e kafshëve.
Pronarëve u rekomandohet t’u sigurojnë kafshëve ujë të freskët dhe të mjaftueshëm, si dhe ushqim të sigurt, duke shmangur ekspozimin e tyre ndaj temperaturave ekstreme.
