Tetovë, edicioni i tretë i Panairit të Artizanateve
Tetova u kthye sot në një pikëtakim të traditës...

Tetova u kthye sot në një pikëtakim të traditës, artizanatit dhe shijeve autentike, me organizimin e edicionit të tretë të Panairit të Artizanateve dhe Shijeve Tradicionale në rrugën e butiqeve.
Dhjetëra artizanë nga vendi dhe rajoni prezantuan punimet e tyre unike, ndërsa qytetarë të shumtë vizituan panairin për të njohur nga afër mjeshtërinë dhe produktet tradicionale.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se ky panair tashmë është shndërruar në një traditë për qytetin dhe se është inkurajuese pjesëmarrja e madhe, si e artizanëve që prezantojnë punimet e tyre, ashtu edhe e qytetarëve që mbështesin këtë iniciativë.

Nga Pogradeci në Tetovë kishte ardhur edhe Anlia Bebri, së bashku me gjashtë gra nga Shoqata e Biznesit të Grave të Pogradecit. Ato prezantuan punime artizanale të realizuara kryesisht nga materiale të ricikluara, të përgatitura në atelie nga të rinj të angazhuar në këtë iniciativë.
Edicioni i tretë i Panairit të Artizanateve dhe Shijeve Tradicionale konfirmoi edhe njëherë interesimin në rritje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e artizanatit.
Me pjesëmarrjen e artizanëve nga vende të ndryshme dhe me praninë e një numri të madh vizitorësh, aktiviteti u shndërrua në një festë të traditës, kreativitetit dhe bashkëpunimit, duke promovuar vlerat kulturore dhe identitetin e Tetovës. (Visar Sadiku, TVM2)
