Kosovë, konstituimi i Kuvendit më 6 gusht, Haxhiu: Ende nuk kemi vendosur për kandidatin për kryetar

31.07.2026 17:11

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu...

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike, tha se përgatitjet për konstituimin e legjislaturës së re kanë përfunduar dhe shprehu pritjen që Kuvendi të konstituohet më 6 gusht.

“Procedura është e njohur për të gjithë. Përgatitjet e Kuvendit kanë përfunduar dhe uroj që më 6 gusht Kosova të arrijë të konstituojë Kuvendin e Republikës së Kosovës.”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

E pyetur për deklaratat se mund të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit, Haxhiu tha se ende nuk është marrë një vendim nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kush do të jetë kryetar apo kryetare e Kuvendit ende nuk është caktuar. Ende nuk kemi vendosur se kush do të jetë propozimi ynë. Është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë, të ketë përpjekje maksimale, seriozitet, që të arrihet një marrëveshje me të cilën arrijmë të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit.”, - theksoi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Lidhur me bisedimet politike, Haxhiu tha se është e rëndësishme që takimet ndërmjet subjekteve të vazhdojnë. Deri më tani nuk ka një marrëveshje në parim mes LVV-së dhe LDK-së. Ndërkohë, nga PDK-ja kanë deklaruar se do të jenë opozitë konstruktive, duke kërkuar që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe pa vonesa. (Armend Murseli, TVM2)