Amnesty International: Kriza e refugjatëve, një nga sfidat shekullit XXI

15.06.2015 18:42

Kur jemi te emigrantët, Amnesty International u ka bërë thirrje liderëve botërorë t’i rishqyrtojnë politikat që kanë mbi refugjatët dhe të krijojnë një strategji globale për t’u marrë me krizën...

Kjo organizatë e të drejtave të njeriut ka publikuar një raport në të cilin thuhet se liderët botërorë i kanë braktisur miliona refugjatë “në fatin e një ekzistence të papërballueshme” dhe kanë lënë mijëra të tjerë të vdesin, për shkak të dështimeve që të ofrojnë mbrojtje elementare njerëzore.

Raporti vlerëson se 4 milionë njerëz janë larguar nga Siria. Shumica prej tyre jeton në kushte të rënda në Turqi, Liban, Jordani, Irak dhe Egjipt, vende këto për të cilat Amnesty thonë se janë në betejë për ta përballuar fluksin e refugjatëve.

Salil Shetty, sekretari i përgjithshëm i AI-së, e ka përshkruar krizën e refugjatëve si një nga sfidat vendimtare të shekullit XXI.