Maqedoni

Akuza reciproke BDI-VLEN, VLEN: BDI sakrifikoi MO-në për ballkanin e hapur

01.08.2026 15:39

Vijojnë përplasjet BDI – Vlen për marrëveshjen e Ohrit dhe buxhetin...

Sipas VLEN-it Marrëveshja e Ohrit, për më shumë se dy dekada u përdor për përfitime politike. Në vend që energjia politike të përqendrohej në konsolidimin e plotë të arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit, BDI dhe Ali Ahmeti u shndërruan në mbështetësit më të zëshëm të një projekti rajonal të qujatur Ballkani i Hapur, thonë nga VLEN. Një politike e tillë po vijon edha tani akuzojnë nga Vlen.
 
"BDI po bllokon miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë, një e drejtë që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Për më shumë se dy dekada, kjo parti nuk arriti ta realizojë këtë obligim, ndërsa sot kundërshton miratimin e tij vetëm sepse nisma ligjore është ndërmarrë nga VLEN. Mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit nuk nënkupton vetëm përmendjen e saj në fjalime. Ajo kërkon angazhim të vazhdueshëm për zbatimin e plotë të saj dhe për vendosjen e interesit të shqiptarëve mbi çdo projekt politik që dëmton rajonin dhe interesat kombëtare” thonë nga Vlen. 
 
BDI: Serbët përfituan 90% të granteve të MO- së 
 
BDI hedh poshtë akuzat duke i kategorizuar si shpifje. Sipas tyre Qeveria VMRO-VLEN ia ndau komunitetit serb rreth 90% të granteve të destinuara për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas BDI–së shqiptarëve u suprimohen mekanizmat e përfaqësimit, u hiqet gjuha nga institucionet dhe largohen nga pozitat drejtuese. 
 
”VLEN duhet t’u përgjigjet sot shqiptarëve: Çfarë përfituan shqiptarët nga përfaqësimi i tyre, kur edhe paratë e Marrëveshjes së Ohrit u jepen pothuajse tërësisht të tjerëve? VLEN nuk është më vetëm spektator i degradimit të shqiptarëve. Është pjesë aktive e mekanizmit që po e realizon atë. BDI kërkon publikimin e menjëhershëm të listës së plotë të përfituesve, shumës së ndarë për secilin projekt, përbërjes së komisionit vlerësues, pikëve të dhëna dhe procesverbalit të vendimarrjes”, thonë nga BDI. 
 
Nga opozitarja BDI akuzojnë Vlenin edhe për ribalansin e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tyre 300 milionë denarë investime janë vetëm në letër, ndërsa janë shkurtuar fondet për parandalimin dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI