Botë

Valë e madhe e emigrantëve në Spanjë, ndizen kambanat e alarmit në Evropë

01.08.2026 16:01

Një krizë migrantësh po e trondit Evropën. Italia nuk po tërhiqet nga rivendosja...

Një krizë migrantësh po e trondit Evropën. Italia nuk po tërhiqet nga rivendosja e përkohshme e kontrolleve kufitare në lidhjet ajrore dhe detare me Spanjën. Autoritetet franceze kanë urdhëruar gjithashtu rritje të kontrolleve kufitare në kufirin franko-spanjoll, pasi dhjetëra mijëra migrantë kaluan në Ceuta, një enklavë spanjolle në Afrikën e Veriut. Qeveria në Madrid u ka dërguar një letër institucioneve evropiane mbi reagimin e disa qeverive evropiane.
 
“Duke pasur parasysh situatën në Ceuta, ne po rrisim kontrollet në kufijtë e brendshëm, në kufirin franko-spanjoll, me kërkesë të Ministrit të Brendshëm. Kjo është një masë paraprake. Operacioni po kryhet në terren nga oficerë policie dhe nga ajri. Do të kemi dronë shtesë dhe avionë mbikëqyrës", deklaroi prefekti i departamentit Pyrenees-Orientales, Pierre Regno de la Motte.
 
"Qeveria ka vendosur të pezullojë përkohësisht regjimin e lëvizjes së lirë të Shengenit në lidhjet detare dhe ajrore me Spanjën, duke rivendosur kontrollet kufitare. Kjo është një masë e jashtëzakonshme, e marrë për të mbrojtur sigurinë kombëtare",  njoftoi kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
 
Shumica e njerëzve që hynë në Ceuta janë kthyer në Marok. Sipas Ministrisë së Brendshme Spanjolle, bëhet fjalë për rreth 50,000 njerëz, ndërsa autoritetet lokale në enklavë thonë se numri ishte më i lartë, rreth 60,000, që është ekuivalent me pothuajse 70 përqind të popullsisë së përhershme të qytetit. Shërbimet e shpëtimit kanë regjistruar dhjetëra vdekje duke u përpjekur të arrijnë në enklavë, dhe ekziston frika se numri mund të jetë më i lartë. Policia marokene ka ndaluar 70 persona me dyshimin për përfshirje në incidente të dhunshme.
 
"Ceuta është një qytet spanjoll dhe ajo që ndodhi meriton të gjithë qortimin tonë, të gjithë dënimin tonë në mënyrën më të fortë të mundshme dhe dënimin për shkeljen dhe sulmin ndaj integritetit territorial të një qyteti spanjoll si Ceuta", u shpreh kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
 
Analistët thonë se migrimi mund të bëhet çështja numër një në zgjedhjet e ardhshme spanjolle, pasi Presidenti i SHBA-së Trump tha se edhe SHBA-të mund të përjetojnë një valë emigrantësh si në Ceuta nëse republikanët nuk fitojnë zgjedhjet.
 
“Mendoj se ky është një moment veçanërisht i vështirë për Pedro Sanchez sepse ai ka bërë një përpjekje të tillë për të paraqitur argumentin tjetër në lidhje me migracionin, i cili mund të jetë ekonomikisht pozitiv, dhe është përpjekur të rregullojë rreth gjysmë milioni emigrantë. Ky është një përpjekje për ta bërë migracionin çështjen numër një për diskutim në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat duhet të ndodhin në thelb në 12 muajt e ardhshëm”, theksoi analisti  Nicholas Laëley.
 
Në të njëjtën kohë, kriza e emigrantëve ka rritur përsëri tensionet midis Spanjës dhe Izraelit, dhe sipas Madridit është pjesë e një beteje më të gjerë gjeopolitike. Marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës. Spanja është ndër vendet evropiane që kanë qenë më kritike ndaj fushatës ushtarake izraelite, dhe në maj 2024 njohu shtetin e Palestinës.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI