Maqedoni

Likovë, BFI hap shkollën e Kur’anit, “Hafëz Refik Ajeti”

02.08.2026 15:21

Në fshatin Likovë, u inaugurua Shkolla e Kuranit "Hafiz Refik Ajeti"...

Në fshatin Likovë, u inaugurua Shkolla e Kuranit "Hafiz Refik Ajeti", institucion i ri që synon avancimin e arsimit islam dhe kultivimin e traditës së hifzit në këtë trevë. Kjo shkollë mban emrin e hafizit të njohur Refik Ajeti, një figurë e respektuar e kësaj zone.
 
Në ceremoni të pranishëm ishin Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis-ul-Ulema Hfz. Shaqir ef. Fetai, Muftiu i Muftinisë së Kumanovës, H. Abedin Ef. Imeri, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Sanxhakut, përfaqësues të Komunës së Likovës, imamë, profesorë, mësimdhënës, si dhe një numër i madh besimtarësh dhe qytetarësh nga Likova dhe rrethina.
 
“Me këtë Institut që po e hapim solemnisht kemi dëshmuar se ne pjestarët e Islamit të këtij vendi, i takojmë Islamit, e mësojmë dhe e studiojmë Islamin, e praktikojmë në jetën e përditëshme e kemi vendosur në shërbim të ngritjes të kombit tonë e mbi të gjitha sot dëshmojmë se pëveç të gjitha këtyre vlerave madhore sot kemi arritur që të hapim edhe Institut jo vetëm të leximit të Kuranit famëlart por edhe të nxënurit përmendësh të Kuranit famëlart që quhet “Hifz” i Kiranit famëlart”, u shpreh mes tjerash, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis-ul-Ulema Hfz. Shaqir ef. Fetai.
 
“Është një ditë e madhe për Likovën, Muftininë e Kumanovës dhe për të gjithë dashamirët e librit të Allahut, sot nuk po inaugurojmë vetëm një ndërtesë por po hapim një derë të dijes dhe edukimit të lidhjes së zemrave me Kuranin famëlart. Të dashur vëllezër kur flasim Hifzin nuk flasim vetëm për memorizimin e fjalëve, ne flasim për edukimin e zemrës, disciplinimin e shpirtit dhe formimijn e një brezi që jeton me Kuran”, tha mes tjerash, H. Abedin Ef. Imeri, Muftiu i Muftinisë së Kumanovës.
 
Gjatë inaugurimit u theksua rëndësia e këtij institucioni për edukimin e brezave të rinj në frymën e vlerave islame dhe për ruajtjen e traditës së memorizimit të Kuranit. Gjithashtu pjesëmarrësit vlerësuan se hapja e Institutit të Shkollës së Hifzit "Hafiz Refik Ajeti" përbën një investim të rëndësishëm në arsimin fetar dhe në zhvillimin shpirtëror e kulturor të komunitetit.
 
FATLUM AQIFI