Maqedoni
Temperatura të larta deri në 40°c, 13 zjarre aktive, 6 janë shuar, 2 nën kontrollë
02.08.2026 15:57
I gjithë territori i vendit është në fazë portokalli për shkak të temperaturave të larta...

I gjithë territori i vendit është në fazë portokalli për shkak të temperaturave të larta, Në Gjevgjeli, Vallandovë dhe Shkup regjistrohen temperaturat më të larta në vend ku arijnë deri në 40 gradë celsius, ndërsa temperaturat më të ulëta janë regjistruar në zonat e larta malore si Kodra e Diellit me 17 °C, Mavrovë dhe Berovë.
Meteorologët parashikojnë mot me diell dhe shumë të nxehtë me vranësira të ulëta deri në mesatare. Si pasojë e temperaturave të larta edhe zjarret aktive nuk mungojnë në vend. QMK regjistroi 13 zjarre në ambient të hapur deri në orën 13:00 - gjashtë janë shuar, dy janë vënë nën kontroll.
Zjarrfikësit ende po luftojnë me zjarret aktive. Sipas QMK-së një zjarr në një deponi pranë tregut Kvantas në komunën Gazi Babë të Shkupit është një nga pesë pikat e nxehta aktive në vend.
Përveç zjarrit në tregun Kvantas, një zjarr në bimësi të ulët është aktiv edhe në fshatin Straçincë, gjithashtu në rajonin e Shkupit. Zjarrfikësit po ndërhyjnë edhe në fshatin Markovë, Sushicë në komunën e Studeniçanit. Zjarre aktive ka edhe në pjesë të tjera të vendit - në komunën e Strugës, në zonën e fshatit Jabllanicë, ku digjet bimësi e ulët, si dhe në komunën Çeshinovë-Obleshevë, pranë fshatit Ularcë.
Zjarret midis fshatrave Sllatinë dhe Greshnicë në komunën e Makedonski Brodit, ku u përfshi një pyll lisi i degraduar dhe bimësi e ulët, si dhe zjarri pranë fshatit Tatesh i Poshtëm në rajonin e Strugës, janë vënë nën kontroll. Gjatë ditës, zjarrfikësit arritën të shuajnë zjarret pranë varrezave në Draçevë, deponisë në Vizbeg si dhe zjarret pranë fshatrave Opilë, Bërvenicë, Negotinë dhe në rajonin e Manastirit.
Zyra Qendrore për Ndryshime Klimatike u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në kushte të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar të përhapjes së zjarrit. Sipas parashikimit të DPHM-së, vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
VLORA LATIFI TOPOJANI
