Maqedoni
Gostivari drejt stabilizimit, konsumi i uji ende i ndaluar
02.08.2026 16:15
Situata epidemiologjike në Gostivar mbetet stabile...

Situata epidemiologjike në Gostivar mbetet stabile, ndërsa institucionet shëndetësore vazhdojnë me monitorimin e gjendjes në terren. Numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore po shënon një ulje të lehtë, por autoritetet thonë se kujdesi dhe masat parandaluese duhet të vazhdojnë.
“Gjatë 1 gushtit në Gostivar janë regjistruar gjithsej 57 kontrolle të para, tre më pak krahasuar me një ditë më parë, kur ishin evidentuar 60 kontrolle. Nuk ka pasur hospitalizime të reja.”, thuhet në njoftimin me shkrim të MSH-së.
Deri më 1 gusht janë regjistruar gjithsej 1.041 paraqitje zyrtare për sëmundje infektive, ndërsa ekipet epidemiologjike kanë përgatitur 734 anketa epidemiologjike për rastet e raportuara.
Ndërkohë, në Gostivar vazhdon të jetë në fuqi ndalesa për përdorimin e ujit të pijshëm nga rrjeti, pasi rezultatet e analizave ende nuk kanë dhënë dritën jeshile për heqjen e kufizimit. Autoritetet vazhdojnë me kontrollet dhe analizat, ndërsa paralelisht po hetohet edhe shkaku i paraqitjes së numrit të shtuar të rasteve me probleme shëndetësore.
Për situatën reaguan edhe partitë politike. Nga LSDM-ja kërkuan përgjegjësi institucionale, duke akuzuar se reagimi ndaj krizës ka qenë i vonuar dhe se qytetarët duhet të marrin përgjigje për menaxhimin e situatës.
“Gostivari nuk është një rast i izoluar. Ka probleme me ujin e ndotur në dhjetëra vende në të gjithë Maqedoninë. A dinte ai për vende të tjera në Maqedoni? Për ndotjen e Lepencit dhe Vardarit – nuk ka përgjegjësi të përcaktuar, ashtu siç nuk ka përgjegjësi të përcaktuar për shumë raste të tjera që tronditën Maqedoninë. Mickoski donte të paraqitej si shpëtimtar. Në vend të kësaj – ai rrëfeu publikisht një krim.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE kundërshtuan akuzat e opozitës duke thënë se Venko Filipce nuk ka kredibilitet të flas për shëndetin publik, sepse ai deri sa ka qenë Ministër I Shëndetësisë nuk ka vepruar ndaj raportimeve të institucioneve për uj të pasigurt.
Sipas VMRO- DPMNE-së përgjegjësia do të përcaktohet nga institucionet kompetente pas përfundimit të hetimeve.
SANIJE DURAKU
