Vendi shënon 2 Gushtin – Ditën e Republikës

02.08.2026 15:58

Vendi shënon 2 Gushtin – Ditën E Republikës...

Në ceremonitë shtetërore kushtuar Ilindenit, krerët e shtetit vunë theksin te ruajtja e vlerave të lirisë, bashkëjetesës dhe ndërtimi i së ardhmes. Kryeministri Hristijan Mickoski porositi se Ilindeni nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por obligim për të ardhmen.
 
Ai theksoi se vendi po shënon rezultate konkrete ekonomike, duke përmendur uljen e borxhit publik, rritjen e prodhimit industrial dhe investimet si tregues të zhvillimit. Mickoski poashtu tha se puna e qeverisë nuk është vetëm udhëheqja me shtetin por edhe të kthej besimin e qytetarëve tek institucionet, pasi ligjet vlejn për të gjithë njësoj. 
 
“Detyra jonë më e madhe nuk është vetëm të menaxhojmë institucionet. Detyra jonë është të rindërtojmë besimin. Të ndërtojmë një ndjenjë se ky vend i përket përsëri popullit. Që ligjet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Që njeriu i ndershëm të mos mbetet i fundit. Që puna të shpërblehet. Që dija të respektohet. Që të rinjtë të mos detyrohen ta kërkojnë të ardhmen e tyre larg shtëpisë, por ta shohin atë këtu, në shtëpi… Armiku i vërtetë është kushdo që shkatërron besimin midis njerëzve nga brenda, që nxit urrejtje, që përhap ndjenjën se asgjë nuk ka vlerë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova tha se trashëgimia e Ilindenit mbetet themeli i shtetësisë, duke bërë thirrje për ndërtimin e një shteti demokratik, të drejtë dhe evropian, që u përket të gjithë qytetarëve. 
 
“Askush nuk ka të drejtë të rishikojë historinë kombëtare maqedonase, sepse çdo popull ka të drejtë për historinë e vet. Ne kemi një borxh ndaj të vërtetës historike dhe ndaj brezit të ASNOM-it që luftoi për lirin dhe Republikën Maqedonase… Shteti ruhet duke investuar te të rinjët sepse pikërisht të rinjët luftuan dhe krijuan shtetin”, u shpreh presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.  
 
Presidentja vlerësoi se rruga e Maqedonisë mbetet pro-evropiane, por paralajmëroi se vendi po përballet me kërkesa të vazhdueshme që, sipas saj, shkelin të drejtën e vetëvendosjes. Ajo shtoi se është e nevojshme të kapërcehen përçarjet e brendshme dhe të bashkohen për çështjet me interes kombëtar. 
 
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në urimin e tij me rastin e festës, vlerësoi se Ilindeni është simbol i luftës për liri, barazi dhe dinjitet, duke theksuar se respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe përgjegjësia e përbashkët janë bazë për një të ardhme më të mirë.
 
“Jam i bindur se, duke ruajtur frymën e bashkëjetesës, duke promovuar dialogun, respektin dhe përgjegjësinë institucionale, do të vazhdojmë të ecim përpara drejt një shteti më të zhvilluar, më demokratik dhe më prosperues, të vendosur në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian. Kjo është mënyra më e denjë për ta nderuar Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit.
 
2 Gushti shënon dy ngjarje kyçe të historisë së vendit – Kryengritjen e Ilindenit të vitit 1903 dhe Mbledhjen e parë të KAÇKM-së në vitin 1944.
 
SANIJE DURAKU