Maqedoni

VLEN: Të ndërtojmë një shtet të drejtë

02.08.2026 16:33

VLEN ka uruar qytetarët e Maqedonisë së Veriut...

VLEN ka uruar qytetarët e Maqedonisë së Veriut me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës. VLEN vlerëson se 2 Gushti kujton përpjekjet historike për liri, barazi dhe drejtësi, të cilat përbëjnë bazën e Republikës dhe karakterit të saj multietnik.
 
“Është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve që këto vlera të ruhen dhe të avancohen, me synimin për ndërtimin e një shteti modern, të drejtë dhe të barabartë, ku çdo qytetar ndihet i respektuar dhe pjesë e së ardhmes së përbashkët. Vetëm përmes këtyre parimeve vendi mund të ecë me hapa të sigurt drejt integrimit në familjen evropiane”, - shkruajnë nga VLEN
 
BDI: Liria ndërtohet mbi barazine
 
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti uroi 2 Gushtin duke theksuar se Fryma e Krushëvës ishte një thirrje për një shtet ku shqiptarët, maqedonasit dhe të gjitha bashkësitë të ndanin përgjegjësinë dhe fatin e përbashkët me bindjen se liria nuk ndërtohet mbi epërsinë e njërit ndaj tjetrit, por mbi barazinë, respektin dhe bashkëjetesën.
 
“Marrëveshja Paqësore e Ohrit, si vazhdimësia moderne e frymës së Manifestit të Krushevës, po përballet me përpjekje të vazhdueshme për t’u zbehur. Sulmet ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, anulimi i mekanizmit që garantonte përfaqësim të drejtë dhe adekuat, sulmi dhe zbehja e mekanizmit për mbrojtje nga majorizimi, mosrespektimi i realitetit të regjistrimit të popullsisë, drejtësia selektive dhe promovimi i një koncepti monoetnik të shtetit janë sinjale shqetësuese për drejtimin që po merr vendi” - shkruan Ahmeti.
 
Filipçe: Sot, lufta jonë është kundër izolimit
 
Edhe kryetari i LSDM-së Venko Filipce uroi 2 gushtin duke theksuar rëndësinë e kësaj feste.
 
“Kujtimi i Ilindenit ka vlerë të vërtetë vetëm nëse na shërben për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Prandaj po luftojmë për një Maqedoni në të cilën sundon ligji, jo interesi partiak. Ilindenasit luftuan kundër tiranisë së kohës së tyre. Sot lufta jonë është kundër korrupsionit, kundër izolimit dhe kundër patriotizmit të rremë që e mban shtetin në vend. Ne e kujtojmë të kaluarën. Por ne zgjedhim të ardhmen”, deklaroi kryetar i LSDM-së, Venko Filipce.
 
Edhe nga partitë e tjera politike në vend uruan festën e Ilindenit me shpresë për një të ardhme më të mirë në vendin tonë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI