Botë

Vala e migrimit në BE, rreth 49 mijë migrantë hyjnë në territor spanjoll

02.08.2026 17:39

Rreth 49 mijë migrantë kanë hyrë në territorin spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut...

Rreth 49 mijë migrantë kanë hyrë në territorin spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut, gjatë 24 orëve të fundit, sipas vlerësimeve të zyrtarëve spanjollë. Migrantët kanë kaluar nga Maroku përmes rrugëve tokësore dhe detare.
 
Pamjet e publikuara në mediat lokale kanë treguar mijëra persona duke hyrë në qytet përmes notit, ndërsa raportimet bëjnë të ditur se përpjekjet për kalim kanë vazhduar edhe gjatë natës.
 
Autoritetet kanë njoftuar se të paktën 18 persona kanë humbur jetën ditët e fundit gjatë tentativave për të arritur në këtë territor. Kriza e fundit vjen pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Spanjës, e cila këtë muaj vendosi se migrantët e ndaluar në det gjatë përpjekjeve për të arritur në Ceuta ose Melilla nuk mund të kthehen menjëherë në Marok.
 
Ceuta, e vendosur në bregdetin verior të Marokut, është një nga dy enklavat spanjolle në Afrikë dhe përbën një nga kufijtë e jashtëm tokësorë të Bashkimit Evropian me kontinentin afrikan. Për vite me radhë, ajo ka qenë një pikë kryesore për migrantët që synojnë të hyjnë në Evropë.
 
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka marrë si model qendrat e Gjadrit dhe Shëngjinit për menaxhimin e krizës migratore pas fluksit në Ceuta. Ajo kërkon që Bashkimi Europian të financojë ngritjen e qendrave të riatdhesimit jashtë territorit të unionit sipas shembullit të Bashkëpunimit mes Italisë e Shqipërisë.