Ethet e Nilit Perëndimor, intensifikohet spërkatja kundër mushkonjave

03.08.2026 12:32

Rastet e reja me ethet e Nilit Perëndimor...

Rastet e reja me ethet e Nilit Perëndimor kanë vënë në alarm institucionet shëndetësore dhe autoritetet lokale, të cilat kanë intensifikuar masat për luftimin e mushkonjave, si bartëset kryesore të virusit.

Në disa komuna, përfshirë edhe Shkupin, po zhvillohet spërkatja nga ajri dhe toka, e cila është pjesë e një përgjigjeje të koordinuar institucionale. Qyteti i Shkupit njofton se gjatë kësaj jave  do të realizohet një tjetër spërkatje kundër mushkonjave në të gjithë territorin e kryeqytetit, si pjesë e masave parandaluese.

Autoritetet thonë se bëhet fjalë për spërkatjen e 11-të këtë vit, ndërsa deri në fund të sezonit janë planifikuar rreth 20 të tilla.

“Qyteti i Shkupit ka organizuar tashmë spërkatjen kundër mushkonjave për javën e parë të muajit gusht. Spërkatja do të kryhet nga toka, me preparate të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) dhe institucionet shëndetësore vendore. Zbatues i kësaj veprimtarie është Qendra për Shëndet Publik - Shkup, me të cilën Qyteti i Shkupit ka lidhur kontratë përmes procedurës së prokurimit publik. Spërkatja do të realizohet në të gjithë territorin e Qytetit të Shkupit, në përputhje me rekomandimet dhe elaboratin e përgatitur nga Qendra për Shëndet Publik. Kjo është spërkatja e 11-të gjatë këtij viti, ndërsa për të gjithë sezonin, kur mushkonjat janë aktive, janë paraparë gjithsej rreth 20 spërkatje.”, thuhet në komunikatën e Qytetit të Shkupit.

Ekspertët ndërkohë vlerësojnë se efekti i këtyre masave duhet të shihet si pjesë e një përgjigjeje të koordinuar institucionale dhe jo si një masë e vetme, thotë epidemiologu Dragan Danilovski për TVM2.

Sipas tij, tani më e rëndësishmja është që të gjitha aktivitetet të vazhdojnë me të njëjtin intensitet, ndërsa edhe më efektive do të kishte qenë nëse spërkatja kundër mushkonjave do të kishte nisur që në pranverën e hershme, para se ato të shtoheshin dhe të shumoheshin.

Danilovski pret që këto masa të ulin numrin e rasteve të reja, duke shtuar se nuk ka vend për panik te popullata, edhe pse ndryshimet klimatike po bëjnë që mushkonja tigër të jetë më e pranishme dhe më e qëndrueshme nga viti në vit.

"Pres që spërkatjet e fundit kundër mushkonjave ta ulin numrin e tyre, veçanërisht nëse këto aktivitete kombinohen me eliminimin e plotë të vatrave ku ato shumohen. Nuk duhet të pritet një rënie e menjëhershme e numrit të të infektuarve, sepse një pjesë e infektimeve tashmë kanë ndodhur. Megjithatë, çdo ulje e kontaktit ndërmjet mushkonjave dhe njerëzve e zvogëlon edhe rrezikun e shfaqjes së infektimeve të reja, prandaj këto masa kanë rëndësi gjatë gjithë sezonit.", - theksoi epidemiologu, Dragan Danilovski.

Përderisa vazhdon përgjigjja institucionale ndaj këtyre sëmundjeve, më e rëndësishmja është që qytetarët të vazhdojnë t'i zbatojnë masat e mbrojtjes personale, përkatësisht të përdorin mjete kundër mushkonjave, këshillon Danilovski.

Ai vlerëson se ulja e numrit të të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor, virusi Zika dhe sëmundje të tjera që transmetohen nga mushkonjat do të fillojë të vërehet me ndryshimin e motit, përkatësisht me rënien e temperaturave gjatë vjeshtës. (Rexhep Qamili, TVM2)