Ligji për përfaqësim të drejtë mbetet pezull, VLEN: BDI po e mban peng kauzën shqiptare
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka hyrë në pushimin veror...

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka hyrë në pushimin veror duke lënë pas një sirtar me ligje të pamiratuara. Në krye të tij është Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili ka mbetur peng i mungesës së Badinterit.
Bllokimi ka nxitur një përplasje të ashpër mes subjekteve shqiptare. Partia në pushtet VLEN, e akuzon BDI-në se nuk e mbron kauzën shqiptare, por se po e mban peng. Sipas VLEN-it, BDI-ja përmes bllokimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë, përpiqet ta rrënojë Marrëveshjen kornizë të Ohrit.
“BDI-ja nuk mund t’ua falë shqiptarëve që e dërguan në opozitë, prandaj tani po u hakmerret duke e bllokuar Ligjin për përfaqësim të drejtë. Shqiptarët nuk janë plaçkë partiake e askujt dhe të drejtat e tyre nuk janë monedhë për kusure politike. Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi as e Ali Ahmetit dhe as e karrigexhinjve të tij të përjetshëm.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
BDI: VLEN-i po lejon gërryerjen e MO-së
BDI-ja mbetet në qëndrimin se ky ligj nuk duhet të miratohet, me arsyetimin se është proceduar pa kuota etnike, pa mekanizma institucionalë dhe pa sanksione për shkelësit.
BDI-ja e akuzon VLEN-in se me hyrjen e tij në Qeveri po forcohet ndikimi i "botës serbe" dhe po gërryhet Marrëveshja e Ohrit.
“Nuk është aspak rastësi që paralelisht me këtë ndikim po vazhdon edhe gërryerja sistematike e Marrëveshjes së Ohrit, përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe politikave të kësaj qeverie pa legjitimitet etnik. Në këtë proces, VLEN-i nuk është spektator”, theksojnë nga BDI.
Me përfundimin e sesionit parlamentar dhe nisjen e pushimit veror, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mbetet pezull, pa afat të qartë se kur do të rikthehet në rend dite.
Deri atëherë, një nga çështjet më të ndjeshme për zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë vazhdon të mbetet peng i mungesës së konsensusit politik, ndërsa përplasjet mes subjekteve shqiptare pritet të vazhdojnë edhe pas rikthimit të deputetëve në Kuvend. (Ersan Pajaziti, TVM2)
