Botë

Lindja e Mesme, fillojnë bisedimet ShBA - Iran përmes Omanit

03.08.2026 15:24

Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh, pasi Uashingtoni shtyu urdhrin për sulme të reja....

Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh, pasi Uashingtoni shtyu urdhrin për sulme të reja. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se liderët e vendeve të Gjirit kanë ndihmuar në uljen e tensioneve, duke shprehur bindjen se është arritur një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe se më pas do të pasohet nga një marrëveshje për programin bërthamor të Republikës Islamike. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë e vazhdimit të sulmeve.
 
"Partnerët tanë na kërkuan të tërhiqeshim dhe besoj se arsyeja është se tashmë ekziston një marrëveshje. Ka një marrëveshje për Ngushticën e Hormuzit dhe më pas do të ketë edhe një për çështjen bërthamore. Aktualisht po zhvillojmë bisedime me ta. Do të shohim si do të ecin. Jemi të gatshëm të veprojmë sërish kur të jetë e nevojshme. Nuk dua të humbin jetë njerëzish. Do të shohim nëse mund të arrijmë një marrëveshje për denuklearizimin.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
 
Nga ana tjetër, Teherani është i prerë se Ngushtica e Hormuzit nuk do të funksionojë më si përpara luftës. Irani bëri të ditur se negociatat nuk zhvillohen drejtpërdrejt me ShBA-në, por me Omanin si ndërmjetësues. Qëllimi i bisedimeve është krijimi i një korridori të përkohshëm dhe të sigurt detar nëpër ngushticë, por jo rihapje e plotë.
 
"Në këtë moment nuk zhvillojmë bisedime me Shtetet e Bashkuara. Negociatat po i zhvillojmë me Omanin dhe ato kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje për një korridor që do të mundësojë lundrim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit. Synimi ynë është që sa më shpejt, në konsultim dhe bashkëpunim me Omanin, të dakordojmë një rrugë të përkohshme që garanton sigurinë e trafikut detar. Për sa kohë vazhdojnë veprimet e ShBA-së, bllokada detare ndaj Iranit dhe agresioni ushtarak amerikan kundër Iranit dhe interesave të tij, nuk do të ketë ndryshim të rëndësishëm në situatën në ngushticë.", - theksoi Esmail Baghaei nga Ministria e Jashtme e Iranit.
 
Rritet dhuna e kolonëve në Bregun Perëndimor
 
Baghaei shtoi se Irani ruan marrëdhënie të ngushta me Kinën, e cila, sipas Teheranit, ndan të njëjtin shqetësim për rritjen e tensioneve në rajon. Ai kritikoi gjithashtu politikën e Izraelit në Gazë, Bregun Perëndimor dhe Liban, pasi Tel Avivi vazhdoi operacionet ushtarake dhe kolonizimin e tokave palestineze.
 
"Ajo që po kryejnë kolonët terroristë nuk është një seri incidentesh të izoluara. Është një politikë sistematike dhe e përhapur shtetërore, është terrorizëm shtetëror. Kolonët janë të armatosur, ushqehen me një diskurs urrejtjeje, mbrohen nga forcat izraelite të pushtimit dhe vazhdimisht shmangin përgjegjësinë. Ata mbështeten nga qeveria izraelite, ku kolonët kanë ndikim të madh.", - u shpreh ministrja e Jashtme e Palestinës, Varsen Aghabekian. 
 
Sipas OKB-së, sulmet e kolonëve në Bregun Perëndimor janë rritur ndjeshëm që nga tetori i vitit 2023, duke arritur në 2.000 raste sulmesh brenda një viti, ndërsa ndërtimi i vendbanimeve të reja izraelite ne territoret palestineze ka shënuar nivel rekord. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU