Maqedoni

Janë shuar vatra aktive, 1 zjarr është vënë nën kontroll

03.08.2026 15:53

QMK ka njoftuar se situata me zjarret në vend është stabile...

Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) ka njoftuar se situata me zjarret në vend është stabile. Ferik Beluli, nga kjo Qendër për TVM2, ka theksuar se gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar gjithsej 30 zjarre në zona të hapura në territorin e vendit. Por, falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve zjarrfikëse, aktualisht nuk ka zjarre aktive. Sipas Belulit, nga numri i përgjithshëm, plot 29 zjarre janë shuar plotësisht, ndërsa një është vënë nën kontroll.
 
“Sa i përket 24 orëve të kaluara nga dita e diel në ora 08:00 në mëngjes deri të hënën në ora 08:00 e mëngjesit gjithsej ka pasur 30 zjarre, nga të cilat 29 janë shuar dhe një është aktiv në Komunën e Makedonski Brodit.”, - deklaroi Ferik Beluli nga QMK.
 
Situata në terren, sipas QMK-së, thotë se i vetmi zjarr që është ende nën kontroll ndodhet në Komunën e Makedonski Brod midis fshatrave Slatinë dhe Greshnicë, ku preken pyje të degraduara me rritje të ulët dhe bimësi të ulët. Beluli për TVM2 po ashtu ka bërë publike edhe të dhënat gjatë ditës së hënë, ku, sipas tij, ka pasur 7 zjarre, nga të cilët njëri është akoma aktiv. 
 
“Sa i përket situatës me zjarret në ditën e sotme, gjithsej ka pasur 7 zjarre, nga të cilat njëri është akoma aktiv dhe njëri nga to është nën kontroll, ndërsa të gjitha zjarret tjera janë të shuara plotësisht. Sa i përket zjarrit që është akoma aktiv, i njëjti është në Komunën e Likovës, respektivisht në fshatin Sllupçan, kurse zjarri i cili është nën kontroll, është në Komunën e Kavadarit mes fshatrave Rajec dhe Kesendre.”, - theksoi Ferik Beluli nga QMK.
 
Zjarre aktive shënohen në Evropë dhe Greqi
 
Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal kur lëvizin në hapësira të hapura për shkak të temperaturave të larta të verës dhe rrezikut në rritje të vatra të reja të nxehta. Por, situata me zjarret është alarmante në të gjithë Evropën, ku të njëjtat po shkatërrojnë shtëpi dhe pyje, Kështu Në Greqi, dy persona kanë humbur jetën pasi dy helikopterë zjarrfikës u përplasën. Ndërsa në Greqi nga zjarri po rrezikohet edhe qyteti Megarës, ku jetojnë rreth 30.000 njerëz.
 
Zjarret janë gjithashtu aktive në Francë dhe Spanjë, Evropa po përballet përsëri me pamjen e një krize klimatike në kohë reale këtë verë - zjarret që shkatërrojnë vendbanimet dhe pyjet, lumenjtë që tërhiqen dhe sistemet e energjisë që punojnë nën presion në rritje.
 
FITIM KRYEZIU