Rrugëtimin drejt Eurobasket 2029, Maqedonia fazën e dytë e nis me Austrinë
Përfaqësuesja e Maqedonisë në basketboll për meshkuj më 30 gusht e nis fazën e dytë të parakualifikimeve për EuroBasket 2029, me një transfertë të rëndësishme ndaj Austrisë në Vjenë...

Përfaqësuesja e meshkujve të Maqedonisë në basketboll do ta nisë ciklin e raundit të dytë të parakualifikimeve për Kampionatin Evropian 2029 më 30 gusht, kur do të përballet në transfertë me Austrinë në Vjenë.
Kjo do të jetë ndeshja e pare në fazën e dytë të parakualifikimeve për ekipin e përzgjedhësit Josep Maria Berrocal në Grupin F, ku bën pjesë edhe Qiproja.
Maqedonia e siguroi kualifikimin në këtë fazë pas një paraqitjeje të shkëlqyer në raundin e parë, duke e mbyllur grupin në vendin e parë me gjashtë fitore në po aq ndeshje.
Ekipi i drejtuar nga Berrocal është një nga 12 përfaqësueset që do të luftojnë për katër vendet që sigurojnë pjesëmarrjen në kualifikimet kryesore për EuroBasket 2029.
Një fitore në Vjenë do ta afronte dukshëm Maqedoninë drejt vendit të parë në grup, i cili është edhe i vetmi që siguron kualifikimin në fazën kryesore të eliminatoreve. Ndeshjet e këtij raundi do të zhvillohen në tri dritare kualifikuese: në gusht dhe nëntor të vitit 2026, si dhe në shkurt të vitit 2027. (Safet Ademi, TVM2)
