Botë

Kriza e emigrantëve në Spanjë, shumica u kthyen në Marok, qindra mbetën në brigje

03.08.2026 16:44

Qindra emigrantë të uritur dhe të rraskapitur vazhdojnë të qëndrojnë në brigjet e Ceutës...

Qindra emigrantë të uritur dhe të rraskapitur vazhdojnë të qëndrojnë në brigjet e Ceutës, të vendosur të mos largohen, ndërsa shumica e personave që hynë nga Maroku janë kthyer tashmë pas. Qendra e pritjes për emigrantë në enklavën spanjolle ka tejkaluar kapacitetet, ndërsa autoritetet po kërkojnë zgjidhje emergjente. Shumë prej të mbeturve janë emigrantë nga Afrika Sub-Sahariane, të cilët thonë se nuk kanë ku të kthehen dhe po përballen me mungesë ushqimi e uji. Shumë prej tyre deklarojnë se u nisën pasi panë mesazhe në rrjetet sociale se kufiri mund të kalohej lehtësisht.
 
"Nuk kam ngrënë. Nuk ka asgjë – asgjë për të pirë, asgjë fare. Po vuajmë këtu.", - tha një emigrant.
 
"Shkuam në Rabat dhe më pas erdhëm këtu. Nuk kemi ngrënë që nga dje. Nuk ka ushqim këtu, nuk ka asgjë.", - tha një emigrant tjetër.
 
"Nuk e kaluam kufirin me forcë. Nuk bëmë asgjë. Pamë marokenë që vinin këtu sepse kishte një hapje. Na thanë se kush dinte të notonte mund të kalonte për të hyrë. Morëm këtë rrezik, sepse dimë të notojmë. Mund të shihni edhe gratë këtu – ato e kaluan duke notuar.", - u shpreh një emigrant.
 
Albares tha se kthimi i mijëra personave brenda 48 orësh, me bashkëpunimin e plotë të Marokut, ishte një ngjarje e paprecedentë dhe kërkoi më shumë solidaritet nga vendet e Bashkimit Evropian për menaxhimin e krizave migratore.
 
“Do të kërkojmë solidaritet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, sepse Spanja aktualisht ka numrin më të ulët të hyrjeve të parregullta në rrugët e Mesdheut. Seuta dhe Melilla janë gjithashtu qytete evropiane dhe përbëjnë një kufi të veçantë të jashtëm të Bashkimit Evropian. Brukseli duhet ta njohë këtë realitet.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares.
 
Ndërkohë, Spanja po heton nëse pas fluksit masiv qëndrojnë rrjete kriminale që kanë mashtruar emigrantët me premtime për hyrje të lehtë në territorin spanjoll.
 
"Shërbimet e inteligjencës që veprojnë në kuadër të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me shërbimet e vendeve të tjera, po punojnë për këtë çështje. Përgjegjës janë ata që e organizuan këtë përmes rrjeteve kriminale, duke mashtruar njerëzit me premtimin se do të mund të hynin në vend në mënyrë të paligjshme.", - theksoi ministrja e Mbrojtjes e Spanjës, Margarita Robles.
 
Rreth 50 mijë emigrantë hynë në Ceuta nga Maroku, ndërsa shumica janë kthyer pas. Mes të mbeturve ka kryesisht emigrantë nga Afrika Sub-Sahariane, të ardhur nga vende të ndryshme të kontinentit afrikan.
 
FARIJE DAUTI BAKIU