Rajon

Tjetër varr masiv në Kosovë, gërmime të reja në Zubin Potok, gjenden eshtra njerëzore

03.08.2026 17:34

Autoritetet e Kosovës njoftuan se kanë identifikuar një lokacion të ri në Komunën e Zubin Potokut...

Autoritetet e Kosovës njoftuan se kanë identifikuar një lokacion të ri në Komunën e Zubin Potokut, ku dyshohet se ndodhen mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999.
 
Sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, vendndodhja e re është identifikuar në fshatin Jabukë, gjatë hetimeve që po zhvillohen pas zbulimit të mbetjeve të dyshuara njerëzore në fshatin Kalludër e Vogël. Prokuroria do t'i kërkojë Gjykatës Themelore në Prishtinë autorizimin për zhvarrim dhe ekzaminime mjekoligjore në këtë lokacion.
 
“Prokuroria Speciale është e përkushtuar që ta hetojë këtë rast dhe t’i zbardhë të gjitha rrethanat e tij në përputhje me ligjin dhe standardet më të larta profesionale.”, - deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta.
 
“Të gjitha njësitë janë duke bërë punën e tyre dhe shpresojmë që së shpejti të kemi rezultate sa më të sakta dhe sa më konkrete me qëllim të paktën familjarët e atyre që gjenden këtu t’i informojmë që të mund t’i varrosin më në fund.”, - theksoi ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
 
Ushtruesi i detyrës së kryeministrit, Albin Kurti, tha se gërmimet mund të zgjasin me muaj për shkak të terrenit të vështirë dhe shpërndarjes së mbetjeve mortore. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojë presion ndaj Serbisë për hapjen e arkivave të luftës, duke theksuar se kjo do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 personave që ende rezultojnë të zhdukur.
 
“Ky fakt na kujton se për shumë familje lufta nuk ka përfunduar përderisa ende nuk janë gjetur personat më të dashur të tyre. Për qindra familje pritja vazhdon. Për ta çdo gërmim është shpresë, çdo identifikim është një hap drejt së vërtetës, e drejtë drejtësisë.”, - u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Ekipet mjekoligjore po vazhdojnë gërmimet në Kalludër të Vogël, ku dyshohet se ka mbetje të tjera mortore. Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar edhe një person të tretë në lidhje me rastin, ndërsa policia njoftoi se njëri nga të arrestuarit është ish-pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave. Autoritetet theksojnë se identiteti i viktimave mund të konfirmohet vetëm përmes analizave të ADN-së. Sipas Albin Kurtit, mbetjet mund t'i përkasin 23 shqiptarëve të njohur si "grupi i intelektualëve", të rrëmbyer dhe vrarë nga forcat serbe më 19 prill 1999.
 
Sipas Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta në Kosovë.
 
ARMEND MURSELI