Epidemia në Gostivar, LSDM: Hetim për Mickoskin dhe Klekoskin

04.08.2026 14:46

LSDM fton prokurorinë të hetoj kryeministrin Hristijan Mickoski...

LSDM fton prokurorinë të hetoj kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e shëndetësisë, Sasho Klekovski, për mos menaxhimin e situatës me epideminë në Gostivar. LSDM akuzon se edhe përkundër shpalljes së prezencës së bakteries në ujë, autoritetet kanë lejuar përdorimin e ujit për larje, në mungesë të një dokumentacioni zyrtar.

Uji i ndotur mund të shkaktoj infeksione të lëkurës dhe sëmundje të tjera serioze, thonë socialdemokratët.

“Tani është konfirmuar zyrtarisht prezenca e bakteries së rrezikshme Pseudomonas aeruginosa, e cila përbën rrezik serioz për shëndetin e njeriut. Ky është informacion tmerrues. Prokuroria Publike duhet të nisë menjëherë një hetim, duhet të ketë përgjegjësi penale për: Hristijan Mickoskin, Sasho Klekovskin dhe të gjithë zyrtarët brenda institucioneve që heshtën dhe nuk ndërmorën veprime ndërkohë që shëndeti i mijëra qytetarëve po vihej në rrezik.” – deklaroi Elena Radeska nga LSDM.

VMRO-DPMNE drejton akuza Filipçes

Nga VMRO – DPMNE hedhin topin e përgjegjësisë tek kryesocialdemokrati Venko Filipçe. Ata publikojnë dokumente të periudhës kohore tre vjeçare 2022-2024 në të cilat nënvizohet se uji në Gostivar nuk ka qenë i sigurt për pije, ndërkaq Filipçe dhe LSDM nuk kanë vepruar për zgjidhjen e problemit.

“Kemi një raport të datës 15 shtator 2022, i cili tregon se uji në Gostivar nuk ishte i sigurt për t'u pirë. Më 7 tetor të po të njëjtit vit, përderisa LSD ishte në pushtet, uji ishte sërish i pasigurt për t'u pirë, megjithatë ata nuk i informuan qytetarët se ai nuk duhej konsumuar. Dy muaj më vonë, më 17 dhjetor 2022, uji ishte sërish i pasigurt për shkak të niveleve të larta të baktereve koliforme. Gjatë periudhave 24 mars 2023 dhe 21 qershor 2023, LSD nuk i paralajmëroi qytetarët e Gostivarit se uji nuk ishte për konsum; përkundrazi, i lanë qytetarët të helmohen. Këto dokumente arritën te Venko Filipçe, por ai nuk arriti të siguronte mirëkuptimin apo veprimin e nevojshëm.” – tha Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.

Partitë janë përplasur edhe sa i takon klorizimit të ujit. LSDM pretendon se niveli i klorit është tejet i lartë dhe duhet të lëshohet në nivelet e lejuara duke mos kërcënuar shëndetin e qytetarëve nga sëmundjet malinje. (Meral Ismaili, TVM2)