Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, volejbollistet e Maqedonisë e nisin me Greqinë

04.08.2026 15:17

Përfaqësuesja e femrave e Maqedonisë në volejboll...

Përfaqësuesja e femrave e Maqedonisë në volejboll do ta nisë paraqitjen në Lojërat Mesdhetare 2026 me ndeshjen kundër Greqisë, e cila do të zhvillohet më 20 gusht në qytetin italian të Tarantos.

Shorti i hedhur kohë më parë deshi që, Maqedonia të jetë në Grupin B së bashku me Turqinë, Greqinë, Algjerinë dhe Kosovën, ndërsa organizatorët tashmë publikuan edhe orarin zyrtar të ndeshjeve.

Të gjitha takimet e fazës së grupeve do të zhvillohen në Taranto. Pas përballjes me Greqinë, volejbollistet më të mira të vendit do të luajnë më 21 gusht kundër Turqisë, më 22 gusht ndaj Algjerisë dhe më 23 gusht do ta mbyllin fazën e grupeve me ndeshjen kundër Kosovës.

Vetëm dy ekipet e para nga secili grup do të sigurojnë një vend në gjysmëfinale, të cilat do të zhvillohen më 25 gusht.

Finalja dhe ndeshja për vendin e tretë në konkurrencën e femrave janë paraparë të luhen më 27 gusht.

Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, do të hapen zyrtarisht më 21 gusht në stadiumin “Erasmo” në po të njëjtin qytet dhe do të zgjasin deri më 3 shtator. (Safet Ademi, TVM2)