Botë
Migrantët në Ceutë, Evropa kërkon zgjidhje
04.08.2026 17:04
Vala e mbërritjeve në Seutë ka rikthyer debatin për politikën e migracionit...

Vala e mbërritjeve në Seutë ka rikthyer debatin për politikën e migracionit në Bashkimin Evropian. Ministrat e BE-së kërkojnë një zgjidhje të përbashkët dhe forcimin e kufijve të jashtëm.
Disa vende kërkojnë masa më të ashpra, ndërsa Spanja thotë se kjo valë është nxitur nga rrjetet sociale dhe dezinformimi.
“I bëj thirrje qeverisë marokene të hetojë dhe të zbulojë se çfarë ka ndodhur në lidhje me këto zhvillime në rrjetet sociale. Është e papranueshme që të miturit të shfrytëzohen dhe të dërgohen drejt vdekjes si pasojë e aktiviteteve në rrjetet sociale. Duhet të sqarohet plotësisht se kushdo që qëndron pas kësaj organizatat kriminale apo kushdo që e ka miratuar ose toleruar, do të duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi ministrja e mbrojtjes e Spanjës, Margarita Robles.
Nga shpresa për një jetë më të mirë, në strehime të improvizuara në plazh. Qindra migrantë të bllokuar në Seutë, për shkak të mungesës së vendeve në qendrat e pritjes, presin një zgjidhje nga autoritetet.
“Po presim të hapen qendrat për të rinjtë dhe autoritetet të ndërmarrin diçka. Njerëzit vijnë këtu për të siguruar jetesën, jo për t’ia shkatërruar vetes jetën”, u shpreh migranti.
“Patëm probleme me Policinë Kufitare, me ushtrinë spanjolle dhe me policinë. Ishte shumë e vështirë. Në ujë kishte shumë trupa të pajetë”, theksoi migranti.
Pas valës së migrantëve mbeten edhe tragjedi personale. Familje të shqetësuara vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e tyre, të cilët janë zhdukur gjatë përpjekjes për të arritur në Evropë.
“Prej pesë ditësh po kërkoj djalin tim. Kur dëgjoi se kufijtë ishin hapur, u nis me një grup shokësh. Ditën e parë, pasi mbërriti në Seutë, më kontaktoi për të më thënë se kishte arritur. Që atëherë nuk më ka kontaktuar më”, deklaroi nëna e një migranti Ibtisam Chari.
Numri i migrantëve që kanë hyrë në Seutë mbetet i paqartë. Sipas policisë spanjolle, mbi 73 mijë janë larguar nga enklava, ndërsa 72 kanë humbur jetën. Kriza ka rritur presionin për politika më të ashpra të migracionit në Evropë.
ARMEND MURSELI
