Botë

Mediat serbe, Kosova do të anëtarësohet në OKB

16.06.2015 12:05

Perëndimi planifikon anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare...

Mediat serbe vazhdojnë aludimet lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes së obligueshme ndërkombëtare mes Prishtinës dhe Beogradit.
 
Gazeta serbe “Blic” shkruan se: Perëndimi planifikon që me këtë dokument t’i mundësohet Kosovës anëtarësimi në OKB, Këshillin e Evropës, OSBE dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare.
 
“Marrëveshja e re me Prishtinën, e njohur si “Bruksel 2”, që ka peshën e marrëveshjes ndërkombëtare, është e parashikuar me kornizën strategjike të BE-së për bisedime me Serbinë dhe duhet të nënshkruhet deri në fund të bisedimeve. Nga ana tjetër qëllimi i qeverisë në Beograd është që Serbia të anëtarësohet në BE brenda vitit 2018”.
 
Qëllimi i Perëndimit është që Kosova të anëtarësohet në OKB dhe kjo, sipas gazetës serbe, është tashmë “fshehtësi publike” në qarqet diplomatike dhe se kreu i shtetit serb është njoftuar për këtë, transmeton RTK.
 
“Edhe pse burimet perëndimore theksojnë se anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk do të thotë se Beogradi po e formalizon njohjen “de jure” të pavarësisë së Kosovës, por kjo është në pajtim të modelit të “dy Gjermanive”, shkruan më tej gazeta serbe.
 
Sipas “Blic”, kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë vizitës në Beograd më 8 dhe 9 korrik do ta paraqesë para kryeministri Vuçiç qëndrimin se Kosova duhet të hyjë në OKB.