Rikthehet vala e të nxehtit, faza portokalli, sinoptikanët: Temperatura deri në 40 gradë
Mot shumë i nxehtë dhe me diell...

Mot shumë i nxehtë dhe me diell me rreze të forta përvëluese. Kështu do të jetë moti në të gjithë territorin e vendit tonë gjatë kësaj jave.
Zyrtarisht vendi ka hyrë në fazën portokalli të rrezikut nga temperaturat e larta. Sinoptikanët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa temperatura të larta do të regjistrohen në të gjitha rajonet e vendit.
Freskim i lehtë i motit dhe ulje të përkohshme të temperaturave priten vetëm në disa zona, thonë sinoptikanët.
"Sot do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë. Temperatura maksimale do të lëvizë nga 32 deri në 39 gradë. Nesër pritet mot me diell po ashtu shumë i nxehtë, me vranësira të vogla deri në mesatare. Në orët e pasdites do të ketë kushte për reshje të shkurtra shiu dhe paraqitje të rralla të bubullimave. Temperatura e mëngjesit do të jetë nga 11 deri në 21 gradë, ndërsa ajo e ditës nga 33 deri në 39 gradë. Edhe në ditët në vijim do të vazhdojë moti i nxehtë, ndërsa në disa vende temperaturat do të arrijnë deri në 40 gradë." – tha sinoptikanja, Juliana Mishkoska.
Nxehti mund të ndikojë te secili, mirëpo disa grupe janë më të rrezikuara, si të moshuarit, foshnjat, gratë shtatzëna, punëtorët që punojnë në ambiente të hapura, si dhe të sëmurët kronikë dhe ata që marrin terapi me diuretikë ose barna të caktuara për epilepsinë dhe sëmundjen e Parkinsonit.
Andaj, shmangia e ekspozimit në diell është i domosdoshwm.
"Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga temperaturat e larta, duke shmangur ekspozimin në diell nga ora 11 deri në 17. Po ashtu, këshillohet veshje e lehtë, konsumim i mjaftueshëm i lëngjeve dhe kujdes i veçantë për personat me sëmundje kronike."
Një pjesë e qytetarëve të anketuar nga TVM2 thanë se, dikush nga halli e dikush nga qefi, u ekspozuan në diell për t'i kryer obligimet e tyre të përditshme.
Shumica prej tyre mbroheshin nga rrezet e diellit duke mbajtur shapkë në kokë dhe duke pirë ujë të freskët.
"Pse kam dalë?- Sepse pata punë dhe kisha nevojë të dilja. I nxehti nuk më pengon."
“Dola sepse pata punë, tani po kthehem. Përndryshe i nxehti më mundon, është mjaft vapë. Unë jam i sëmurë nga zemra dhe tani do të shkoj në freski. Deri në orën 16:00 nuk dal më."
“Mua më përshtatet i nxehti. Në këtë periudhë ndihem shumë mirë, nuk më pengon, pavarësisht se jam 70 vjeç. Gjatë këtyre ditëve konsumoj shumë lëngje dhe ujë, si dhe ha fruta e perime. Ushqime të yndyrshme nuk konsumoj."
“Me vështirësi po e përballoj këtë mot të nxehtë. Po ndiej lodhje. Nuk kemi gjithmonë kohë t'i respektojmë rekomandimet.”
“Sot dola për të marrë terapinë time. Nuk kishte insulinë dhe duhej të dilja. Deri tani të nxehtin e përballoj mirë, nuk kam probleme.” – u shprehwn disa nga qytetarwt e intervistuar nga TVM2.
ISHP: Respektoni rekomandimet, shmangni daljet
Përderisa qytetarët përpiqen ta përballojnë vapën, Instituti i Shëndetit Publik u rikujton atyre që deri më 7 gusht t'i respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga vala e të nxehtit. Këshillohet të shmangen daljet e panevojshme gjatë pjesës më të nxehtë të ditës dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta.
"Vishni rroba të lehta, ndërsa në rrezet e diellit, mbani syze mbrojtëse dhe një kapelë me ngjyrë të hapur, me hark të lartë dhe strehë të gjerë. Qëndroni brenda dhe në dhoma me ajër të kondicionuar. Nëse duhet të qëndroni jashtë gjatë kësaj periudhe, gjeni mundësi për pushim më të shpeshtë nën hije dhe shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell”, - thuhet në komunikatën e ISHP-së.
Në gatishmëri të plotë janë edhe ekipet e ndihmës së shpejtë dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq, të cilët tradicionalisht dalin në terren dhe u shpërndajnë ujë qytetarëve.
“Sot sikurse edhe ditëve të kaluara, ekipet e Kryqit të Kuq janë në terren. Këtë javë, 30 vullnetarë janë angazhuar në disa lokacione në qendër të Shkupit dhe në stacionet më të frekuentuara të autobusëve, përkatësisht aty ku ka më shumë qytetarë të moshuar. Deri tani kemi shpërndarë mbi 10 mijë shishe ujë, ndërsa ky aksion do të vazhdojë deri në fund të javës.” – deklaroi Argjend Çilafi nga “Kryqi i Kuq”.
Por jo më pak të prekur nga temperaturat përvëluese janë edhe drejtuesit e automjeteve. Autoritetet shëndetësore u apelojnë atyre të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes. Rekomandohet që automjetet të ajrosen rregullisht duke hapur dritaret për të freskuar dhe ventiluar ambientin.
Ndërkaq, personat me sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe pulmonare duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjetit, të zbatojnë rekomandimet dhe të marrin rregullisht terapinë e përshkruar.
Për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore, ata duhet të konsultohen me mjekun amë, njofton ISHP-ja. (Rexhep Qamili, TVM2)
