Tetovë, rikonstruohet rruga “Mihajlo Rajçeviç”

05.08.2026 14:55

Rruga “Mihajlo Rajçeviç” në Tetovë...

Rruga “Mihajlo Rajçeviç” në Tetovë, e njohur nga banorët si lagjja Cetinska, është rikonstruktuar pas ndërhyrjeve në infrastrukturën rrugore dhe në rrjetet nëntokësore. Projekti përfshin rreth 600 metra gjatësi, ndërsa vlera e investimit, sipas Komunës së Tetovës, është rreth 300 mijë euro.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se krahas asfaltimit të rrugës, janë realizuar edhe punime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.

“Me këtë projekt është realizuar rikonstruktimi i plotë, duke filluar nga infrastruktura nëntokësore, rrjeti i ujësjellësit, kanalizimi atmosferik e deri te asfaltimi i rrugës. Vlera e investimit arrinë rreth 300 mijë euro, ndërsa projekti përfshin një gjatësi prej rreth 600 metrash dhe një gjerësi mesatare prej 6 metrash” – tha Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Sipas Kasamit, investimi do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit për banorët e kësaj zone dhe qytetarët që e përdorin këtë rrugë. Ai tha se kjo pjesë e qytetit për vite me radhë ka pasur nevojë për ndërhyrje infrastrukturore.

“Ky është një investim kapital për këtë pjesë të qytetit, e cila për shumë vite ishte lënë pas dore nga drejtuesit e mëparshëm. Sot, me përfundimin e këtij projekti, banorët do të kenë kushte shumë më të mira për lëvizje” – u shpreh Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ndërkohë, në pjesë të tjera të Tetovës vazhdojnë të ketë rrugë që presin rikonstruktim. Banorët kërkojnë që investimet infrastrukturore të shtrihen edhe në zonat e tjera të qytetit. (Visar Sadiku, TVM2)