Botë

Momente tensioni në Itali, policia zbraz kampin me refugjatë

16.06.2015 12:26

Prej mëngjesit të sotëm, në qytetin e Ventimilias, në veri të Italisë, autoritetet kanë nisur boshatisjen e një kampi refugjatësh afrikanë...

Operacioni në qytetin që ndodhet në kufi me Francën është shoqëruar me momente tensioni, pasi emigrantët u kanë bërë rezistencë policëve.
 
Disa prej tyre janë përpjekur të arratisen, ndërsa të tjerë kanë pasur probleme shëndetësore, duke i detyruar policët t’i ngrinin peshë për t’i futur në makina e autobusë të Kryqit të Kuq për në stacionet hekurudhore.
 
Ata që kanë tentuar të arratisen janë ndjekur nga agjentët dhe janë bllokuar.
 
Aksioni i forcave të rendit është shoqëruar edhe me klithmat e shumë grave emigrante. 
 
Kriza e emigrantëve që largohen nga vendet në luftë ka vënë në vështirësi të mëdha vendet mesdhetare si: Italia, Greqia dhe Malta. Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së diskutojnë ende rreth planit për shpërndarjen e azilkërkuesve nëpër 28 vendet anëtare.
 
Kryeministri italian, Mateo Renzi, deklaroi më herët se nëse marrëveshja nuk arrihet, Italia do të kalojë në një “Plan B”, por ky plan, sipas tij, do t’i dhëmbë shumë Evropës.