Tensione në Lindjen e Mesme, Trump kërcënon: Hapni Hormuzin, ose goditet Irani
Korridori jugor përmes Ngushticës së Hormuzit...

Korridori jugor përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet i lirë dhe i hapur për të gjitha anijet tregtare që dëshirojnë të kalojnë në këtë rrugë ujore ndërkombëtare, njoftoi ushtria amerikane.
Deklarata vjen pasi një anije mallrash u godit nga një predhë e paidentifikuar pranë brigjeve të Omanit. Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh i prerë se Ngushtica e Hormuzit do të hapet shumë shpejt, ose Irani do të përballet me pasoja të rënda.
"Është bërë përparim i madh. Ata duan të bisedojnë, duan të arrijmë një marrëveshje. Nuk duan të goditen. Ky ishte sulmi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Mendoj se do të ishte shumë e mençur të arrihej një marrëveshje." – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Katari dhe Omani po ndërmjetësojnë për një zgjidhje afatshkurtër që do të rikthente Uashingtonin dhe Teheranin në tryezën e bisedimeve, megjithëse ende nuk ka sinjale për negociata të drejtpërdrejta.
"Fokusi ynë është shmangia e përshkallëzimit, rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimi i diplomacisë." – u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari.
Ndërkohë, rebelët Huthi në Jemen thanë se kanë lëshuar raketa ndaj një tankeri saudit të naftës në Detin e Kuq. Edhe Gaza mbetet një nga sfidat kryesore për paqen në Lindjen e Mesme, ndërsa sulmet izraelite vazhdojnë pavarësisht marrëveshjes për çarmatimin e Hamasit.
"Presidenti Trump dhe ekipi i tij besojnë se Hamasi mund të çarmatoset dhe Gaza të demilitarizohet. Ne kemi shqyrtuar draftin, kemi paraqitur komentet tona dhe nuk do të tërhiqemi nga qëndrimet tona derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht." – deklaroi Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Presidenti amerikan javën e kaluar njoftoi se ishte arritur një marrëveshje për çarmatimin e Hamasit, por grupi militant deklaroi se zbatimi i saj varet nga ndërprerja e operacioneve ushtarake izraelite. (Armend Murseli, TVM2)
