Botë

Kosovë, pa marrëveshje për qeverinë e re

05.08.2026 15:49

Kosova vazhdon të mbetet pa marrëveshje politike për formimin e institucioneve të reja...

Takimi mes kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i zhvilluar dje pasdite, përfundoi pas tri orësh bisedime pa një dakordim për krijimin e shumicës së re parlamentare.
 
Kurti tha se marrëveshja ende nuk është arritur, por vlerësoi se diskutimet kanë qenë të rëndësishme për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit. Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar për më 6 gusht, ndërsa sipas tij procesi do të vazhdojë edhe në mungesë të një marrëveshjeje politike.
 
“Do të përpiqemi maksimalisht, do të vazhdojmë komunikimin dhe takimet, por ndërkohë që e bëjmë këtë, janë afruar ditët, koha është shkurtuar dhe edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike, pasnesër të jemi në fillimin e seancës konstituive”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Edhe nga LDK-ja kanë bërë të ditur se qëndrimet për disa çështje ende nuk janë harmonizuar dhe se nuk është arritur marrëveshje për krijimin e një shumice të re parlamentare.
 
“Brenda këtyre balancave, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, në të kundërt konstelacioni politik nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme”, u shpreh kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
 
Pa një marrëveshje për shumicën parlamentare, mbetet e paqartë rruga drejt formimit të Qeverisë së re. Sipas afateve kushtetuese, nëse brenda dy muajve nga konstituimi i Kuvendit nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
 
SANIJE DURAKU