Botë
Vala e të nxehtit, LSM: Mbroni punëtorët nga vapa
05.08.2026 16:25
Faza portokalli dhe temperaturaraturat e larta ka alarmuar edhe përfaqësuesit...

Faza portokalli dhe temperaturaraturat e larta ka alarmuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Nga LSM kërkojnë që punëdhënësit t’i mbrojnë punëtorët nga vala e të nxehtit me temperatura deri në 40 gradë.
Kërkojnë respektimin e masave për siguri dhe shëndet në punë, ndërprerjen ose kufizimin e punës në ambiente të hapura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, si dhe sigurimin e të gjitha mjeteve dhe masave për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve në këto kushte.
“Është e nevojshme të respektohen masat e mbrojtjes dhe kujdesit gjatë temperaturave të larta të ambientit. Theksojmë se është veçanërisht e rëndësishme të respektohen masat përkatëse për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së punëtorëve të moshuar, të sëmurëve kronikë dhe grave shtatzëna. Rëndësia e jetës dhe shëndetit të punëtorëve në këto kushte me temperatura jashtëzakonisht të larta është e një rëndësie të veçantë dhe të gjithë së bashku duhet ta ruajmë shëndetin e punëtorëve dhe qytetarëve, pasi ata janë bartësit e zhvillimit të shoqërisë”, thuhet në komunikatën e LSM-së.
Petkovski: Punëdhënësit të riorganizojnë orarin
Ndërkohë edhe kryetari i Shoqatës për Siguri dhe Shëndet në Punë Milan Petkovski, u apelon punëdhënësve që gjatë kësaj periudhe të jenë vigjilentë dhe në bazë të veprimtarisë së tyre, të bëjnë vlerësim të saktë të rrezikut gjatë punës në kushte të temperaturave të larta.
Sipas tij, në duart e punëdhënësve është vendimi nëse kategori të caktuara të punëtorëve do të duhet të punojnë me orar të reduktuar apo të ndërpritet puna, me qëllim mbrotjen e shëndetit të punëtorëve.
"Punëdhënësi ka obligim të bëjë vlerësimin e rrezikut edhe në këto situata kur kemi temperatura të larta në vendet e punës. Pasi të bëhet vlerësimi, duhet të merret vendim se si do të eliminohen rreziqet e mundshme. Nëse kjo nuk është e mundur, duhet të zbatohen masa inxhinierike, e nëse edhe kjo nuk është e mundur, të merren masa organizative. Duhet të sigurohen pajisje personale mbrojtëse dhe, nëse as kjo nuk është e mundur, të ndërpritet plotësisht procesi i punës. E gjithë kjo bëhet me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve", deklaroi kryetari i shoqatës për siguri dhe shëndet në punë Milan Petkovski.
Si në çdo verë, më të ekspozuar ndaj temperaturave të larta mbeten punëtorët në ndërtimtari. Vala e të nxehtit pritet të vazhdojë deri në fund të kësaj dhe gjatë javës së ardhshme."
REXHEP QAMILI
