Botë

Avioni zjarrfikës në aksion në shqipëri, “Air Tractor” në betejën kundër flakëve

05.08.2026 16:51

Avioni zjarrfikës "Air Tractor" ka kryer fluturimin e parë në Shqipëri...

Avioni zjarrfikës "Air Tractor" ka kryer fluturimin e parë në Shqipëri, duke u angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve në fshatin Rriban të Mallakastrës. Avioni i përket kompanisë me të cilën qeveria ka lidhur kontratë për blerjen e 3 avionëve të këtij tipi, që do të vijnë në fund të vitit.
 
Aktualisht operacionet po kryhen nga pilotët e kompanisë, të cilëve më pas do t'u bashkohen pilotët shqiptarë.Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama e cilësoi aktivizimin e avionit si një forcë shtesë në përballjen me zjarret e kësaj vere.
 
"Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e të përgatitur se asnjëherë më parë, por edhe plotësisht të vetëdijshëm për rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës", deklaroi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
 
Në operacion janë angazhuar gjithashtu helikopterët e Forcës Ajrore dhe droni Bayraktar, i cili përdoret për zbulimin dhe monitorimin e vatrave të zjarrit. Ndërkohë, beteja me flakët në Riban të Mallakastrës vijon prej dy ditësh.
 
Gjatë natës, zjarri është përhapur drejt masiveve pyjore. Terreni i thyer, bimësia e dendur dhe era kanë vështirësuar ndërhyrjen nga toka. Situata zjarresh ka pasur ditët e fundit në disa zona por flakët janë vënë nën kontroll
 
LULJETA NDOKA