Botë
Ukraina në flakë: Sulme masive ruse, dhjetëra viktima
05.08.2026 17:43
Ukraina në flakë. Shpërthime të fuqishme, zjarre që përfshijnë ndërtesa e depo...

Ukraina në flakë. Shpërthime të fuqishme, zjarre që përfshijnë ndërtesa e depo, të vrarë, të plagosur dhe shkatërrime të mëdha. Rusia lëshoi një valë sulmesh masive me dronë dhe raketa balistike ndaj Kievit dhe rajonit përreth. Autoritetet druhen se shumë persona mund të kenë mbetur ende të bllokuar nën rrënoja.
“Isha në kamion kur ndodhi shpërthimi. Ai mori flakë. Nuk pata kohë as të merrja dokumentet, nxehtësia ishte e padurueshme. Nuk mund ta besoja. Kam dëgjuar edhe më parë shpërthime, por asgjë si sot. Nuk u dëgjua as që ishte raketë. Nuk e di as çfarë ishte”, deklaroi shoferi i kamionit nga Moldavia, Ivan Braga.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet kishin në shënjestër qendrat logjistike ushtarake ukrainase dhe objektet për prodhimin e dronëve, pasi akuzoi Kievin për një sulm me dronë në rajonin rus të Tulës.
Ndërkohë, Ukraina pranoi se nuk arriti të rrëzonte asnjë raketë balistike ruse për shkak të mungesës së raketave interceptuese. Zelensky bëri thirrje për më shumë sisteme "Patriot", duke thënë se ato mund të shpëtojnë jetë.
“Është shumë e rëndësishme që partnerët tanë të kuptojnë se vonesat në furnizime ose mungesa e gatishmërisë për të siguruar sisteme kundër raketave balistike çojnë drejtpërdrejt në viktima dhe shkatërrime kaq të tmerrshme. Partnerët që ende nuk janë të gatshëm të luajnë një rol më aktiv në furnizimin me raketa interceptuese mund të ndihmojnë duke vendosur sanksione të reja. Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të raketave balistike në Rusi ende nuk është objekt sanksionesh", u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Kievi kishte shprehur më herët gatishmërinë për të gjitha formatet e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, me qëllim krijimin e kushteve për një diplomaci të vërtetë dhe përfundimin e luftës. Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Kievit javët e fundit, ndërsa edhe Ukraina ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës civile ruse, përfshirë objektet energjetike.
ARMEND MURSELI
