Botë
Egjipt, konfirmohet dënimi me vdekje për ish-presidentin Morsi
16.06.2015 13:46
Një gjykatë në Egjipt ka konfirmuar dënimin me vdekje për ish-presidentin, Mohammed Morsi...

Vendimi, i marrë fillimisht në muajin maj, është konfirmuar pas opinionit të dhënë nga figura më e lartë fetare e vendit, Myftiu i Madh.
Dënimi me vdekje ish-liderit iu dha në lidhje me arratisjen masive të të dënuarve nga burgu në vitin 2011. Më herët gjatë ditës, Morsi u dënua me burgim të përjetshëm për një tjetër akuzë.
Ai akuzohej për spiunazh në favor të grupit islamik palestinez të Hamasit, atij libanez të Hezbollahut dhe Iranit.
Mohammed Morsi u rrëzua nga pushteti në korrik të vitit 2013, pas protestave masive në rrugët e qyteteve të Egjiptit kundër pushtetit të tij.
Aktualisht, ai po shlyen një dënim me 20 vjet burg për urdhërimin e arrestimit dhe torturimit të protestuesve gjatë kohës që ishte në pushtet.
Në seancën e së martës gjyqtari deklaroi se Vëllazëria Myslimane e drejtuar nga Morsi bashkëpunoi me Lëvizjen Palestineze të Hamasit, që militantët e saj të futeshin në kufijtë lindorë të Egjiptit dhe të sulmonin burgjet.
Mbështetësit e ish-presidentit i quajtën këto akuza një farsë.
