Maqedoni
Tetovë, komuna mbetet me një “merimangë” për parkimet
06.08.2026 15:39
Komuna e Tetovës ka vendosur t'u japë fund kontratave me dy automjetet...

Komuna e Tetovës ka vendosur t'u japë fund kontratave me dy automjetet merimangë që operonin krahas asaj në pronësi të Ndërmarrjes Publike për Parkingje. Sipas kryetarit të komunës, Bilall Kasami, vendimi vjen si pasojë e mungesës së mbështetjes policore dhe efikasitetit të pamjaftueshëm në terren.
Ai paralajmëroi se komuna po shqyrton angazhimin e një operatori privat ose të një automjeti detektues për largimin e veturave të parkuara në kundërshtim me rregullat.
“Për momentin nuk ka në funksionim. Do të kthehet në funksion vetëm merimanga, automjeti merimangë që është në pronësi të Ndërmarrjes së Parkingut. Kurse të tjerave u janë ndërprerë kontratat dhe tani më do të vazhdojmë me bazë rregullores për rregullimin edhe të merimangave, edhe të bllokuesve. Në këtë rast, jo që nuk ka bashkëpunim me policinë, por realisht policia nuk ka kapacitet që në çdo pjesë të qytetit të ndërhyjë për largimin e veturave të parkuara pa leje”, deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Nga SPB Tetovë thonë se katër policë rrugorë kanë qenë të angazhuar në dy ndërrime për t'i shërbyer merimangës. Por të njëjtët kanë qenë jashtë këtij shërbimi vetëm gjatë kohës kur ka pasur delegacione në rajonin që mbulon ky sektor.
“Deri tani është praktikuar që të angazhohen katër policë, pra në dy ndërrime, për arsye se ka dy merimanga në dispozicion. Por ka raste kur ndonjëra nga merimangat është jashtë funksionit dhe nuk mund të funksionojë, kështu që kolegët angazhohen në detyrime të tjera deri në vënien në funksion të merimangave”, u shpreh zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Komuna e Tetovës më herët kishte angazhuar dy automjete merimangë nga kompani private, fillimisht përmes bashkëpunimit me përqindje dhe më pas me qira. Megjithatë, sipas autoriteteve komunale, asnjëri prej këtyre modeleve nuk ka dhënë rezultatet e pritura në vendosjen e rendit në komunikacion.
VISARI SADIKI
