Botë
Moska intensifikon sulmet, Kievi kërkon mbrojtje nga aleatët
06.08.2026 16:15
Ukraina ka kërkuar nga aleatët më shumë raketa për mbrojtjen kundërajrore...

Ukraina ka kërkuar nga aleatët më shumë raketa për mbrojtjen kundërajrore, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa balistike. Për përballimin e dimrit, Kievi synon forcimin e mbrojtjes ajrore, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përgatitjen e strehimoreve.
Sipas autoriteteve ukrainase, furnizimi me raketa është ulur rreth tre herë që nga fillimi i vitit 2026.
“Duke parë një mungesë kaq të madhe, nuk e di nëse ekzistojnë arsye të tjera përveç Lindjes së Mesme. Ndoshta këto hapa politikë kanë për qëllim ta bëjnë Ukrainën, le të themi, më të bindur. Sipas mendimit tim, kjo nuk është pa ndikim dhe ne e kuptojmë se ky është një sfidë serioze”, deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Kreu i Kremlinit ka ndryshuar komandantët, përfshirë edhe ata përgjegjës për logjistikën dhe forcat ruse të dronëve, në përpjekje për të rigjallëruar ofensivën ruse në Ukrainë. Kjo vjen në një kohë kur janë shtuar pretendimet se në vjeshtë mund të zgjerohet mobilizimi ushtarak.
“Siç e dini, ne vazhdojmë ta përmirësojmë strukturën e Ministrisë së Mbrojtjes, duke u bazuar në kërkesat dhe përvojën nga operacioni i posaçëm ushtarak”, u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dënuar sulmet e reja ruse dhe ka bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve.
“Punonjësit tanë humanitarë dhe kolegët tanë kanë dënuar valën e re të sulmeve në shkallë të gjerë nga forcat e armatosura të Federatës Ruse dhe kanë bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve. Ata theksojnë se pas muajit më vdekjeprurës për civilët në Ukrainë që nga prilli i vitit 2022, gushti nisi me dy sulme të njëpasnjëshme gjatë natës në shkallë të gjerë. Civilë u vranë dhe u plagosën në kryeqytetin Kiev dhe rajonin përreth, ndërsa luftimet e intensifikuara prekën edhe pjesë të tjera të vendit”, theksoi zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.
Sot në Kiev është shpallur ditë zie pas sulmeve intensive të djeshme, ku u vranë dhe u plagosën dhjetëra civilë. Luftimet kanë vazhduar edhe gjatë 24 orëve të fundit.
Ukraina ka goditur dy rafineri të mëdha ruse, qindra kilometra larg kufirit, ndërsa Rusia ka sulmuar një stacion hekurudhor dhe një anije tregtare në territorin ukrainas. Sulme me raketa dhe dronë janë raportuar edhe në rajone të tjera të të dyja vendeve.
ARMEND MURSELI
