Maqedoni
Në Kumanovë po krijohet krizë me emigrantët?
16.06.2015 14:32
Si duket në Kumanovë po krijohet krizë me emigrantë kryesisht nga Siria. Numri i tyre çdo ditë po shkon duke u rritur...

Ata mund t’i hasësh gjithkund nëpër rrugët e Kumanovës, e sidomos në Xhaminë “Sinan Tatar Pasha”, në qendër të qytetit.
Për shkak të fluksit të madh të emigrantëve, xhamia mbrëmë sikur u shndërrua në qendër spitalore.
Vollunterë të shumtë atyre u ofronin ndihma në ushqim dhe ujë, ndërsa disa studentë të mjekësisë ua sanonin plagët në këmbë të shkaktuara nga udhëtimi i gjatë qindrakilometrash.
Të rinjtë e Shoqatës “ Vizioni M” në mënyrë të organizuar ndanë 100 pako për emigrantët.
Objektivi i kamerës sonë regjistroi edhe disa vollunterë të cilat ndihmonin në forma të ndryshme, por njëherit për shkak të seriozitetit të krizës, e cila po shkon duke u zgjeruar, u bëjnë apel qytetarëve për t’u ndihmuar emigrantëve të rraskapitur nga udhëtimi më këmbë.
Ndryshe, mbrëmë ka qenë numri tejet i madh i emigrantëve të arritur kryesisht më këmbë dhe me biçikleta.
Ata falënderojnë popullatën e Kumanovës për solidarizim, por njëherit dëshirojnë që sa më shpejt të braktisin Maqedoninë, për shkak të problemeve të përjetuara gjatë udhëtimit të rrugëve të Maqedonisë, kurse destinacion kanë shtetet evropiane, ku planifikojnë të fitojnë statusin e azilkërkuesit.
NEXHAT AQIFI
