Maqedoni
Çarshia e Shkupit, mbahet Bazari Ballkanik i Artizanateve
16.06.2015 14:39
Veshje kombëtare, instrumente të ndryshme të drurit, skulptura dhe shumë gjëra tjera interesante të punuara nga zejtarë të vendeve të ndryshme...

Veshje kombëtare, instrumente të ndryshme të drurit, skulptura dhe shumë gjëra tjera interesante të punuara nga zejtarë të vendeve të ndryshme mund t’i gjeni në Çarshinë e Shkupit, ku po mbahet Bazari Ballkanik i Artizanateve.
Në këtë bazar zejtarë nga vendi, Kosova, Shqipëria, Turqia, Mali i Zi, Serbia dhe Kroacia ofrojnë punime të punuara nga dora e tyre.
Ata janë shumë falënderues për mikpritjen e ngrohtë që ua kanë bërë në Shkup, por theksojnë se interesimi i qytetarëve nuk është në nivelin e duhur.
“Unë kam sjellë shumë pak punime kësaj radhe, sepse kemi qenë nëpër shumë panaire dhe kemi pasur edhe shumë shitje, kështu që kanë mbetur shumë pak. Punimet e mia janë disa instrumente burimore, punime të ndryshme të përmasave të ndryshme nga druri, mirëpo unë punoj edhe punime me motive kombëtare, që herët tjera do t’i sjellim këtu në Shkup”- deklaroi zejtari nga Ulqini, Ramiz Hajdari.
“Po punë dore krejt janë të tonat, veshje kombëtare, punë dore. Traditë e kemi, mos me harruar traditën tonë për atë i punojmë. Punën time e dua shumë, mirëpo interesi i qytetarëve është shumë i dobët”- tha zejtarja nga Gjilani, Magbule Ibrahimi.
“Ne bëjmë miniskulptura nga guri, gurin e gjejmë gjithandej nëpër Maqedoni, bëhet fjalë për gurë të mrekullueshëm, ata gurë ne i selektojmë, i komponojmë dhe përpunojmë miniskulptura, dhe secila miniskulpturë do të thotë diçka”- theksuan nga Aircraft Macedonia.
“Merrem me gjëra artistike dhe e kam për herë të parë që vi në Shkup. Janë të interesuar njerëzit, do të ishte më mirë dhe ju falënderoj që edhe ju i nxirrni këto nëpër media, që të njoftohet populli dhe të kemi ne sa më tepër punë”- u shpreh shitësi nga Pogradeci, Anxhel Rusemlleu.
Bazari i Artizanateve përfundon sot, ndërsa ai u përkrah edhe nga Komuna e Çairit.
ERSAN PAJAZITI
